Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të diturse në takimin e mbajtur sot të Komitetit për Koordinimin e vlerësimit të situatës së pandemisë COVID-19, janë aktivizuar edhe tri Klinika tjera në QKUK që do t’i dalin në ndihmë Infektivës.
Klinikat që do t’i ndihmojnë Infektivës janë Pulomolgjia, Dermatologjia dhe Mjekësia Sportive.
Përmes një statusi në faqen e tij zyrtare, Zemaj ka bërë të ditur se para Komitetit ka sqaruar masat që janë marrë paralelisht me hapjen, shkruan Reporteri.net.
Ky është postimi i tij i plotë:
Sot mbajtëm takimin e Komitetit për Koordinimin e vlerësimit të situatës së pandemisë Covid-19, ku ishte prezent edhe Kryeministri Avdullah Hoti, anëtarët e Komitetit dhe përfaqësuesit e organizatave dhe partnerët.
Ndër të tjera sqarova se ne si Ministri e Shëndetësisë kemi ndërmarrë masa që paralelisht me hapjen të fuqizojmë edhe kapacitetet:
Kemi fuqizuar shërbimet me respiratore të ri të siguruar nga BE dhe Katari dhe janë në proces edhe disa të tjerë si nga partnerët ashtu edhe nga buxheti i MSh-së
•Kemi aktivizuar tre klinika tjera në QKUK (Pulmo, Derma dhe Mjekësia Sportive) që t’i dalin në ndihmë Infektivës
•Kemi aktivizuar edhe repartet infektive në spitalet e përgjithshme që të zvogëlojnë fluksin e pacientëve që vijnë në Prishtinë
•Kemi publikuar e shpërndarë në tre gjuhet manualin me udhëzues për veprimtaritë e hapura
•Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me teste serologjike
•Kemi përgatitur dhe emituar së bashku edhe me partnerët dhe Zyrën e Kryeministrit edhe materiale informuese e promovuese lidhur me zbatimin e masave anti covid-19
•Jemi në finalizim të përditësimit të Protokollit klinik të trajtimit të Covid-19 në Klinikën Infektive
•Kemi fuqizuar bashkëpunimin e Komunat përmes vizitave konkrete dhe informimit nga afër me punën, kapacitetet e nevojat.