Gjermania nga sot edhe zyrtarisht pritet të marr presidencën e Bashkimit Europian e qe do të zgjasë për gjashtë muaj. Ani pse Kosova kishte shpresa shumë për një vendim të rëndësishëm gjatë kësaj kohe, ajo çfarë bie në sy është mospërfshirja e çështjes së liberalizimit të vizave për vendin në programin e Këshillit të BE’së.
Gazeta Metro mëson se në Programin e Këshillit të BE’së nën presidencën gjermane, liberalizimin e vizave për Kosovën nuk përmendet askund.
Periudha në të cilin kosovarët shpresonin shumë, po del të mos jetë vendimtare as kësaj here.
Në programin e Këshillit të BE’së nën udhëheqjen e Gjermanisë, në pjesën ku flitet për Ballkanin Perëndimor, përmenden vetëm negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe përgatitja e fillimit të negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Përderisa Kosova vazhdon të mos figurojë askund në programin e tyre dhe as çështja e liberalizimit të vizave.
Ky lajm nga BE është tejet zhgënjyes për qytetarët e Kosovës, kur dihet që shteti i Kosovës është vendi i vetëm ne Europë pa liberalizim të vizave.
Përderisa te gjithë qytetarët e Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës lëvizin lirshëm në BE, Kosova dhe qytetarët e saj padrejtësisht vazhdojnë të mbesin të privuar nga liria e lëvizjes së lirë.
Si te qytetarët, ashtu edhe te liderët politikë ishte ngjallur shpresa se nën presidencën Gjermane çështja e liberalizimit të vizave do të merrej në konsideratë.
Vlen të theksohet se deputet e Parlamentit Europian me 27 qershor kanë nënshkruar një letër përmes të cilës kanë kërkuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit të BE’së çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Lajmin e kishte bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, ku ka bashkëngjitur edhe dokumentin me nënshkrimet e deputetëve.
“Së bashku me Viola von Cramon (raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian) dhe kolegët e tjerë, kemi dërguar një letër tek (kancelarja) Angela Merkel me kërkesen për të vendosur në agjendë të presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështjen e tej-zgjatur të libëralizimit të vizave për Kosovën”, thuhet në postimin e Kyuchyuk.
Together with @ViolavonCramon and other colleagues we have send a letter to Angela Merkel asking her to put in the agenda of the #German presidency of the @EUCouncil the long-lasting issue of visa liberalisation for #Kosovo pic.twitter.com/HDPWssx0DR
— Ilhan Kyuchyuk (@ilhankyuchyuk) June 27, 2020
Këta deputetët janë shprehur se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE’së që të përmbush pjesën e saj të obligimit.
“Ne po humbim kredibilitetin tonë kur një shtet i tretë e bën atë që ne kërkojmë nga ta, por nuk marrin avantazhin të cilin ua kemi premtuar. Si mund të kërkojmë çfarëdo reforme tjetër nga një shtet në fqinjësinë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se do të përfitojnë çfarëdo nga puna e tyre. Integrimi Europian nuk është domosdo opcioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do ti çojë rruga e tyre nëse jo në BE?” kanë shkruar deputetët.
Por si duket kjo letër dhe kjo kërkese e deputetëve europian ka hasur në veshë të shurdhër dhe se edhe me tej liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk është prioritet i BE’së, konkretisht Gjermanisë dhe as Francës.
Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kishin konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash. Por, çështja ka ngecur në Këshillin e BE’së ku disa shtete të rëndësishme në mesin e tyre edhe Franca nuk janë pajtuar që të liberalizohen vizat për Kosovën.
Ndryshe, Këshilli është organi kryesor vendimmarrës i BE’së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE’së. Këshilli i BE’së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE’së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet.
Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër presidencën e BE’së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike.