Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas hyrjes së 11 pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe dje brenda territorit të Republikës së Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Përmes një postimi në Facebook, Jashari tha se kjo është shqetësuese dhe e papranueshme që institucionet e vendit nuk kanë marrë asnjë veprim ndaj hyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë.
“Pas asaj që ka ndodhur një ditë me parë është dashur që udhëheqësit e institucioneve tona të takohen dhe të marrin masa ndaj provokimit që shteti serb po bënë ende në Kosovë. Kosova është shtet i pavarur dhe institucionet tona e kanë për obligim që të ruajnë territorialitetin dhe sovranitetin e saj, prandaj për një rast të tillë duhet dhënë përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Jashari.
Ai tha se “mijëra dëshmorë e martirë, invalidë e veteranë dhanë jetën e sakrifikuan për lirinë tonë, të cilën duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, brenda territorit tonë shtetëror”.
“Si kryetar i Komunës së Skenderajt dhe si anëtar i familjes Jashari, i bëjë thirrje institucioneve tona që të marrin veprime konkrete ndaj asaj që ka ndodhur në Karaçevë dhe të mos lejojnë që të përsëriten provokime të tilla”, ka shkruar Jashari.
KFOR-i përmes një komunikate për media kanë thënë se dje rreth orës 17:20 kanë kryer një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe në afërsi të fshatit Hodonovc në Komunën e Kamenicës.
Sipas tyre, Forcat e Armatosura të Serbisë nuk i ndahen anëtarëve të KFOR-it gjatë patrullimit si dhe rasti i djeshëm ishte njëjtë.