Shumë persona të cilët janë të sëmurë nga diabeti apo njohur ndryshe si sheqeri në gjak e të cilët janë të detyruar të trajtohen me insulinë, tash e dy muaj po detyrohen që ta blejnë vetë atë.
Kjo për shkak se disa QKMF nëpër komuna të ndryshme të vendit kanë mungesë të furnizimit me disa lloje të insulinave.
Përpos që vendi po përballet me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, këta qytetarë të prekur me diabet po detyrohen që të sigurojnë vetë insulinën e cila u ndihmon në stabilizimin e këtij problemi shëndetësorë.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se ka disa lloje të insulinave që mungojnë si: Novomix dhe Insulina e njohur si bazal.
Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar ministrinë e Shëndetësisë nga ku edhe është bërë e ditur se sa i përket furnizimit të QKMF-ve nëpër komuna me insulinë nuk ka mungesë të përgjithshme .
Të njëjtit shtuan se mungon vetëm një lloj i insulinës duke bërë të ditur se është mungesë momentale, ku procedurat për furnizim janë iniciuar tashmë dhe pritet të përfundojë shpejtë.
Por sipas të njëjtëve tashmë janë iniciuar procedurat për furnizim të kësaj insuline dhe pritet që shumë shpejtë të përfundojnë.
“QKMF-të furnizohen sipas planit të distribuimit. Vetëm një lloj i ‘insulinës bazal’është në mungesë për momentin dhe procedurat për këtë lloj të insulinës janë iniciuar dhe pritet të përfundojnë shpejtë”, u tha në përgjigjen e dhënë nga MSh.
Ndërsa në një përgjigje nga Qendra Klinike Universitare dhënë për Indeksonline u tha se në kuadër të klinikës në QKU nuk ka mungesë të furnizimit me insulina dhe se ka mjaftueshëm.
“Në kuadër të QKUK-së ka insulina, s’ka mungesa. Kurse sa i përket QKMF-ve ato furnizohen nga ministria”, u tha nga QKUK .