Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se po vazhdon viktimizimi i familjes së Ukshin Hotiti përmes publikimit të informacioneve të pakonfirmuara. Ka thënë se shteti duhet të reagojë dhe të shikojë vërtetësinë e këtyre dokumenteve.
Ky reagim i Kurtit ka ardhur pasi RTK, një natë më parë, publikoi një dokumentar, ku jepen detaje të reja, bazuar në dokumente serbe, se si është vrarë e zhdukur Ukshin Hoti.
“Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia. Kjo çka po i bëhet familjes Hoti me informacione të tilla, është viktimizim i vazhdueshëm. Familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon”, ka shkruar Kurti, në një reagim në Fb.
Ish-Kryeministri ka bërë thirrje Kryeministrit Hoti, Ministrit Selimi të angazhohen më shumë për zbardhjen e të pagjeturve në mesin e të cilëve është edhe Ukshin Hoti.
Ish-Kryeministri ka bërë thirrje Kryeministrit Hoti, Ministrit Selimi të angazhohen më shumë për zbardhjen e të pagjeturve në mesin e të cilëve është edhe Ukshin Hoti.
“Ka disa orë që në publik po qarkullon një dokument që thuhet se ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas këtij dokumenti aludohet se Ukshin Hoti është vrarë, e më pas kufoma e tij është djegur me eksploziv dhe më tej është fshehur për të humbur gjurmët e krimit. Janë të pamohueshme krimet makabre që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës. Por në këtë rast, organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme”, ka shtuar ai.
“Kosova duhet t’i ketë prioritet krimet e kryera gjatë luftës. Kjo situatë duhet të na kujtojë kolektivisht që është e papranueshme bërja e pazareve në bisedime me Serbinë, për më shumë që vijon të ngelet i pasqaruar fati i të zhdukurve. Është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën”.