Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar se sot janë bërë 5 vjet prej kur është nënshkruar demarkacioni me Malin e Zi.
Ka kritikuar Hashim Thaçin, atëkohë ministër i Punëve të Jashtme, se ia ka falur 83 kilometra katrorë Malit të Zi, dhe se sot Kosova vazhdon të mos ketë liberalizim vizash, e siç thotë kjo parti, as territor.
“Po bëhen pesë vite qëkur u nënshkrua demarkacioni me Malin e Zi. Me këtë marrëveshje ish-ministri i jashtëm tani president, së bashku me klubin e vjetër politik, komisionin Meha dhe makinat e tyre propaganduese kryen një veprim anti-shtetëror dhe anti-shkencor për t’ia falë 83 km katror Malit të Zi kinse për të fituar liberalizimin e vizave. Sot, jemi pa viza dhe pa territor, kurse nëpër kullosat tona po patrullon e dëbon banorët autokton policia malazeze. Qeveria e shkarkoi komisionin për rishikim dhe tani e hutuar vetëm po shikon”, thuhet në reagimin e VV-së.
Pas tre vjetësh, plotë debate e mospajtime, Kuvendi i Kosovës nën presionin e gazit lotsjellës të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kishte ratifikuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar qysh në gusht në vitit 2015.
Komisioni Evropian kishte rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në korrik të vitit 2018 dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë liberalizimin e vizave, pas arritjes së kësaj marrëveshjeje. Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave më shumë se një vit më herët dhe në çdo rezolutë të miratuar i bëhej thirrje BE-së të aprovojë heqjen e regjimit të vizave. Vendet anëtare të BE-së deri më tani nuk i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, megjithëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/1748221401998265/