Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo.
Siç njofton kumtesa nga kryeministria, Pompeo e ka uruar kryeministrin Hoti për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ndërsa, kryeministri Hoti, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.
“Kryeministri Hoti, duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur sot në Shtëpinë e Bardhë, potencoi gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve. Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në kumtesë.
Ndërsa, sekretari Pompeo, thuhet tutje, theksoi gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.