Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dje ka njoftuar se për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, ka shtyrë mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, të paraparë për këtë të premte.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kërkuan që të mos e anulojë këtë mbledhje, pasi Kuvendi e pret, shkruan IndeksOnline.
Hoti sot në një konferencë për media iu përgjigj VV-së duke thënë se agjendën e Qeverisë e cakton vetëm ai dhe askush tjetër.
Kryeministri ka vlerësuar se nesër është një mbledhje e rëndësishme në Kuvend ku do të shqyrtohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Arsyetimin pse e kemi shtyrë këtë mbledhje e kam dhënë dje dhe e kemi bërë në koordinim me kryeministrin Rama.
Agjendën e Qeverisë e caktoj vetëm unë, askush tjetër. Nesër është një mbledhje shumë e rëndësishme në Kuvend, ku në mesin e pikave është edhe ndër Ligji më i rëndësishëm për Rimëbëkmbëjn Ekonomike dhe unë duhet të jem aty së bashku me deputetët në Kuvend për të quar përpara këtë ligj.
Ndërkohë ne e kemi spostuar këtë mbledhje vetëm për një javë, nuk ka asnjë çështje aq urgjente që të mos spostohet”, tha ai.