Gjykata Speciale e Hagës ka lëshuar një komunikatë për mediat ku ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Sali Mustafës, ish-shef i inteligjencës së Forcave Speciale te Kosovës dhe ish-epror i UÇK-së në Zonën e Llapit.
Ky është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë me ndihmën e misionit EULEX. Teki Bokshi, Avokat i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale thotë se, ky zhvillim ishte i papritur dhe theksoi se mund të ketë arrestime të tjera.
“Ka qenë një e papritur arrestimi i Sali Mustafës, pasi nuk ka qenë shumë i njohur dhe përmes mediave jemi njoftuar për funksionet që ka kryer para dhe pas luftës në Kosovës”, tha avokati.
Bokshi u shpreh më tej se nuk përjashtohet mundësia që të arrestohen dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut i PDK-së, Kadri Veseli nëse aktakuzat ndaj tyre konfirmohen, pasi Kosova ia ka dhënë këtë kompetencë Gjykatës Speciale.