Në katër ditë vizitë në Washington, DC, presidenti Thaçi nuk ka zbuluar asgjë rreth arsyeve. Nuk ka treguar as kush e ka pritur atje, e as për takimet zyrtare që mund t’i ketë pasur.
Nga e enjtja e javës që shkoi, presidenti Hashim Thaçi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm pasi mediat raportuan se presidenti ishte nisur drejt shtetit më të fuqishëm në botë, Presidenca njoftoi se Thaçi ishte rrugës për në Washington. Këtë herë, rruga nuk iu ndal në gjysmë sikur në qershor, kur ishte dashur të kthehej në Kosovë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte lëshuar një njoftim për aktakuzë kundër tij.
Po nga e enjtja, Gazeta Express ka pyetur në Presidencë për arsyet e vizitës së Thaçit në SHBA si dhe për takimet të cilat ai i ka zhvilluar atje, por Zyra për Media e Thaçit nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as këshilltarët e presidentit.
Pas tri ditësh në SHBA, Thaçi vendosi të fliste për vizitën e paparalajmëruar. Ai tha se ka zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të Qeverisë amerikane.
“Kisha kënaqësinë e veçantë që të bashkëbisedoj me zyrtarë e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me hapat që duhet t’i ndërmarr Kosova aktualisht por edhe në të ardhmen”, ka thënë Thaçi.
Megjithatë, më të mistershme vizitën e tij në SHBA e bën fakti se Thaçi nuk ka publikuar asnjë fotografi në rrjetet sociale nga takimet që tha se i ka zhvilluar atje, siç ka vepruar zakonisht në raste të tilla. Që nga dita kur u nis për në SHBA, dy postimet e vetme të Thaçit në Facebook janë për Kompëtaren e Kosovës në futboll.
Po ashtu, as në uebfaqen e Presidencës nuk ka asnjë lajm për ndonjë aktivitet të Thaçit në SHBA.
Paraprakisht, Thaçi kishte zhvilluar një vizitë në Bruksel, ku ishte takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilin më herët e kishte kundërshtuar hapur për qasjen ndaj Kosovës.
“Ne kemi nevojë për BE-në dhe BE-ja ka nevojë për ne. Duhet të veprojmë. Lajcaku ka mbështetjen time në këtë proces”, kishte shkruar Thaçi.
Më herët, Thaçi kishte thënë se nuk do të bashkëpunojë me Lajçakun, për shkak se ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.