Brenda pak ditësh, javën që lamë pas, në shkollën fillore “Daut Bogujevci”, në Fushë-Kosovë, ndodhën dy rrahje.
Madje, nxënësit u përleshen ndërmjet vete në afërsi të shkollës, e cila gjendet vetëm pak metra larg objektit të Komunës.
Drejtori i Arsimit i Fushë-Kosovës, Islam Shabani, ka folur për Indeksonline, rreth rastit të fundit që ndodhi në shkollë, atë të rrahjes midis dy nxënësve të klasës së shtatë.
“Po, e dimë rastin. Është fjala për një vajzë atje në shkollë, edhe kemi bisedu me prindërit e saj. Ja njohim të dy prindërit dhe i kemi tregu se nëse përsëritet, atëherë do të merren masa më drastike. Masa e parë ka qenë që i është tërhequr vërejtja, sepse është në shkollë fillore e keni paraysh. Herën tjetër, do ta çojmë në shtëpi në bazë të ligjit dhe masa e fundit dihet, ne s’duam të marirm masën e fundit.
Sipas prindërve, ajo është pak temperamente, pak e lazdruar, ashtu na kanë thënë dhe pak kokëfortë. Ne u kemi sygjeru që të punojnë me të më shumë dhe ta dërgojnë edhe te ndonjë psikolog apo neuropsikiatër. Prindi më tha se do të merret me të”, ka thënë ai.
Shabani këto rrahje, i arsyeton, duke thënë se shkolla në fjalë është e rrethuar dhe me oborr të vogël dhe e ka një personel që merret me sigurinë e nxënësve, por që sipas tij këto gjëra ndodhin.
“Është e pamundur që në 1.000 nxënës të kesh nën kontroll. Kamerat e sigurisë do të vendosen shumë shpejt, sepse është në procedurë tenderi dhe aty është e paraparë të vendosen brenda dhe jashtë shkollave”.
Duke folur rreth dhunës në shkolla, psikologu kosovar, Arbër Zeka, thotë për IndeksOnlinen, se ky është një problem i shëndetit publik, të drejtave të njeriut dhe problem social.
“Nuk ka ndonjë metodë të provuar hap pas hapi për të përmirësuar sigurinë në shkollë. Çdo shkollë ka një përbërje unike të nxënësve, stafit, kulturës dhe rreziqeve. Në vend të kësaj, mënyra më efektive për të përmirësuar sigurinë në shkollë është duke zbatuar një kombinim të politikave, nismave dhe masave të sigurisë.
Biseda me fëmijët (nxënësit), është një hapë i rëndësishëm për t’u përfshirë në punën e shkollës, shoqëri dhe aktiviteteve, kjo po ashtu do të na ndihmojë që të parandalojmë ose të mësojë më tepër për mundësitë e ndërhyrjes së nevojshme në raport më problemin e shkaktuar.
Njohja me shenjat paralajmëruese, njohja e asaj që është sjellje normale për djalin ose vajzën, kjo na ndihmon të njihemi me ndryshime të vogla në sjellje dhe t’u japë një paralajmërim të hershëm se diçka po shqetëson fëmijën.
Inkurajimi i sjelljeve paqësore midis nxënësve dhe programe adekuate të cilat i ndihmojnë nxënësit të krijojnë lidhje adekuatet miqësie.
Raportimi sa më shpejt të jetë e mundur kërcënimet, shenjat ose diskutimet e aktiviteteve të bandës, ose kushte të tjera që mund të ftojnë ose inkurajojnë dhunën.
Zeka më tej shton se kërkimi i reformës në arsim është një zgjidhje e domosdoshme, por jo plotësisht e mundshme për të adresuar sfidat brenda sektorit të arsimit.
“Edhe pse mund të jetë më e lehtë të fajësoni një fëmijë për veprat e tyre keqdashëse, kjo nuk na bën mirë në planin afatgjatë, e zbrazët nga zgjidhja dhe ilaçi i duhur. Siç thotë Durkheim, “Çdo brez i ri rritet nga paraardhësi i tij; kjo e fundit duhet të përmirësohet në mënyrë që të përmirësojë pasardhësin e saj. Si të rritur, ne duhet t’i drejtojmë fëmijët drejt dritës, edhe kur ata e kanë gjetur veten duke u penguar në errësirë, pa marrë parasysh skajshmërinë e situatës”.
Në fund, psikologu thotë se në raport me dhunën shoqëria jonë kosovare, patjetër e ka të domosdoshme të bëj hapa konkretë dhe ndryshimin social ndaj saj.