Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka marrë vendim lidhur me ankesën e Kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Apeli ka bërë me dije se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i datës 10 tetor 2020 për arrest shtëpiak është ndryshuar. Tash, të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit, apo personit të caktuar.
Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu iu është ndalur çdo komunikim më të. Më këtë aktvendim të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhëroj paraburgimin.
“Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Rugova po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” . Ndërsa L.B. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.”