Edhe pse pati rritje të numrit të të infektuarve gjatë ditëve të fundit dhe numri i përgjithshëm ka arritur në 17 mijë e 139 persona të prekur me COVID-19, situata nuk parashihet të jetë shumë e rrezikshme.
Madje rritja e numrit të të infektuarve thuhet të jetë në bazë të testeve të kryera, e që ditëve të fundit kanë qenë në numër më të madh.
Mikrobiologu, Lul Raka thotë se aktualisht Kosova është në gjendje më të mirë se shumica e shteteve në Evropë, në aspektin e situatës epidemiologjike e, që sipas tij, rritja e lehtë e rasteve është e menaxhueshme për kapacitetet shëndetësore.
“Kjo rritje përveç shtimit të rasteve në komunitet mund t’i atribuohet edhe rritjes së numrit të testimeve. Nga 3687 teste të kryera në javën e parafundit ka pasur rritje në gjithsej 6380 sosh gjatë javës së fundit. Në aspektin e definimit nuk ka ndonjë standard uniform ndërkombëtar se çka quajmë valë të dytë. Ky term i referohet vetëm shfaqjes së shpërthimit të sëmundjes pas një periudhë te uljes fillestare të rasteve. Por, i njëjti parim mund të vlejë edhe për valën e tretë. Vala për të cilën po pyetni ndërlidhet me sezonën vjeshtë-dimër dhe për disa është e dyta e për tjerë e treta për Kosovën”, ka deklaruar Raka.
Madje, sipas tij, rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit, pashmangshëm do të shtojë qarkullimin e njerëzve, teksa sezoni vjeshtore rikthen edhe virusin e gripit sezonal.
“Të gjithë këta faktorë janë elemente që ndikojnë në rritjen e rasteve të sëmundjes. Prandaj, kjo edhe më shumë e fuqizon rolin e zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mbikëqyrjen e tyre nga organet shtetërore. Rezultati përfundimtar do të varet nga zbatimi i masave nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga inspektimi strikt i institucioneve qeveritare”,tha mikrobiologu Raka.
I pyetur se cila është zgjidhja që duhet bërë në mënyrë që rreziku të mos rritet edhe më tepër, Raka tha se duhet fuqizim i inspektorëve dhe policisë për mbikëqyrjen strikte të zbatimit të masave parandaluese në çdo institucion të vendit.
“Fokusi i inspektimit të zbatimit të masave parandaluese nga inspektoratet dhe policia duhet të jenë: Hapësirat e mbyllura: kafiteritë, baret, restoranet, qendrat tregtare dhe pikat tjera të grumbullimit të njerëzve (ngjarjet supershpërndarëse), Transporti publik, institucionet fetare, institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe private, sidomos ato që kanë numër të madh të të punësuarve”, shtoi ai.
Madje u theksua se zbatimi i masave parandaluese të shëndetit publik ku bëjnë pjesë: distanca fizike, mbajtja e maskave sipas udhëzuesit të MSH, higjiena e duarve dhe shmangia e qëndrimit në vende ku ka grumbullim njerëzish, janë të domosdoshme.
“Po ashtu duhet bërë monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i situatës epidemiologjike, testimi i personave me simptoma të dyshimta për COVID-19 dhe kontakteve të tyre, izolimi i shpejtë i rasteve pozitive dhe gjurmimi në kohë dhe efektiv i kontakteve, përcjellë me karantinimin e tyre. Kemi ende kohë për ta festuar fitoren përfundimtare ndaj virusit. Kjo do të jetë disa muaj pas fillimit të vaksinimit”, theksoi mikrobiologu Lul Raka për lajmi.net.
Madje sipas të njëjtit sjellja e individit në shoqëri është çelësi për të trajtuar këtë pandemi.
“Pas 7 muajsh të lodhshëm është normale që disa njerëz të ulin kompliansën me zbatimin e masave parandaluese. Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi por t’ia rikujtojmë popullit se virusi SARS-CoV-2 do të jetë në qarkullim brenda komunitetit dhe se ata duhet të zvogëlojnë ekspozimin përmes masave tashmë të njohura: distanca, maska dhe higjiena e duarve. Kësaj duhet shtuar edhe shmangien e qëndrimit në vende ku ka grumbullime njerëzish sidomos në objekte të mbyllura e të paventiluara”, tha ai.
Mikrobiologu Raka ritheksoi se nëse i zbatojmë masat parandaluese të vendosura për pandeminë COVID-19, atëherë numri i rasteve do të jetë i menaxhueshëm për institucionet shëndetësore kosovare.