Tanke T-72 do të arrijnë nga Rusia në Serbi, konfirmoi ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç.
“Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të arrijnë si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi. Ato do t’i forcojnë ndjeshëm aftësitë tona ushtarake”, tha Stefanoviq për mediat në Beograd.
Ai po ashtu tha se, në të ardhmen, do të punohet për pajisjen e njësive speciale dhe të zbulimit.
Mediat kanë raportuar se tanket e para nga donacioni rus kanë arritur në Serbi më 28 tetor.
Donacioni është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016.
Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.
Në vitin 2019, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e ka refuzuar kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për t’i siguruar një kopje të marrëveshjes së donacionit.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë atëbotë se marrëveshja “përmban të dhëna sekrete të huaja, pra të dhëna që i janë besuar Republikës së Serbisë nga një shtet tjetër, me detyrimin për t’i mbajtur sekrete”.