Deputetët e AAK’së nuk do të votojnë emër tjetër për president pos liderit të tyre, Ramush Haradinaj. Deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, i tha Gazetës Express se nëse partitë politike nuk e përkrahin propozimin e AAK’së, vendi shkon në zgjedhje.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj mbrëmë në Pressing të T7 deklaroi se partia e tij nuk do ta votojë Ramush Haradinajn për shef të shtetit.
“Ne nuk kemi vota për një kandidat i cili do të vinte nga koalicioni qeverisës. Është absurde të jetë në opozitë dhe të votosh një kandidat në pozitë”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj tha poashtu se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e votojnë për shef të shtetit vetëm kandidatin që vjen nga radhët e subjektit të tyre politik.
Deklaratës së Hoxhajt i është përgjigjur deputeti i AAK’së, Pal Lekaj.
Në një përgjigje për Express, ish-ministri i Infrastrukturës tha se 14 deputetët e AAK’së do ta votojnë vetëm Ramush Haradinajn për president dhe jo ndonjë propozim tjetër.
“E kemi thënë vazhdimisht se Aleanca është e vendosur në këtë drejtim. Ne si Aleancë e kemi ofruar kandidatin tonë z. Haradinaj për postin e Presidentit dhe për këtë nuk bëjmë kompromis. Ne vlerësojmë propozimet e partive tjera, në këtë rast edhe të PDK’së por ne jemi të vendosur që 14 votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk shkojnë për asnjë personalitet tjetër përpos kandidatit tonë z. Haradinaj”, tha Lekaj.
Ai shtoi se nëse partitë e tjera nuk e përkrahin liderin e tyre atëherë vendi shkon në zgjedhje.
“Nëse partitë politike nuk e përkrahin propozimin e Aleancës aëherë nuk ka tjetër zgjidhje përpos që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh Lekaj.
Ndërkaq, kreu i LDK’së, Isa Mustafa dje para mediave tha se javën e ardhshme do të takohen me partitë politike për çështjen e presidentit.
“Nuk kemi biseduar për presidentin akoma. Por sipas neve çështja e presidentit duhet të zgjidhet sa më shpejt jo të shkojmë në zgjedhje. Në fillim të dhjetorit do të mblidhemi me kryesinë për të biseduar për presidentin”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se është më mirë që të arrihet pajtueshmëri për emrin e shefit të shtetit dhe jo të shkohet në zgjedhje të reja.
Ai nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e futjes së PDK’së në qeverinë e tanishme për të forcuar numrat në Kuvend dhe rrjedhimisht arritjen e marrëveshjes për zgjedhjen shef të shtetit, teksa ka shtuar se LDK’ja nuk pretendon edhe pozitën e presidentit.