Zgjedhje në Kosovë mund të ketë edhe më shpejtë se sa që pritet.
Kjo pasi Qeveria Hoti nuk e ka përkrahjen e një numri të madh të shteteve të fuqishme evropiane.
Madje, Infokusi mëson nga burime të sigurta që një prej arsyeve kryesore që shtete si Gjermania e Franca nuk e përkrahin më Qeverinë Hoti është pikërisht marrëveshja e Uashingtonit nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe në prani të Presidentit Donald Trump.
Dy shtetet e fuqishme evropiane kishin kundërshtuar edhe mocionin e mosbesimit ndaj Albin Kurtit por që LDK e Isa Mustafa nuk e kishin përfillur kërkesën e tyre.
Gazeta Infokus ka marrë vesh edhe për disa prapaskena të këtyre ngjarjeve.
Infokusi mëson se asokohe vet Isa Mustafa ishte njoftuar nga këto shtete të fuqishme evropiane, se trupat amerikane nuk do të tërhiqeshin nga Kosova, pavarësisht kërcënimeve të Richard Grenell e djalit të Donald Trump.
Ky fakt tani është përmendur edhe në studimin e Parlamentit Evropian të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE, ku u shtjellua gjer e gjatë për implikimet e administratës Trump në Kosovë.
Një fakt që tani përmendet është se zyrtarë gjerman e francez pasi kishin diskutuar me zyrtarë nga State Department i ShBA-ve, kishin njoftuar kreun e LDK-se Isa Mustafën që trupat amerikane nuk do të tërhiqeshin dhe të mos votohet rrëzimi i Qeverisë.
Por, pavarësisht kësaj, Mustafa nuk i kishte dëgjuar, gjë që kishte shkaktuar indinjim të thellë tek gjermanët e francezët, shkruan Gazeta inFokus.
Burime të sigurta i kanë thënë Infokusit se tani kjo çështje lidhet edhe me liberalizimin e vizave, dhe se sipas të gjitha gjasave pengesat kryesisht nga Franca e Gjermania do të tërhiqen pas rrëzimit të Qeverisë aktuale.
Një dit më parë Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se janë disa vende anëtare të Bashkimit Europian, që ky nuk ua përmendi emrin, të cilat nuk po binden që t’i thonë “PO” heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
“Gjithmonë i kemi thënë qeverisë kosovare se është e rëndësishme që të ulet së bashku me këto vende dhe t’i bindë ato. Në këtë aspekt, Kosova duhet të punojë. Bashkimi Europian përbëhet nga 27 vende anëtare dhe për vendime të gjitha duhet të jenë në bord. Ne po punojmë që kjo të ndodhë, por unë s’e besoj që kjo do të ndodhë para Krishtlindjeve”, ka deklaruar Rohde.