Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka treguar se që nga sot ka filluar diskutimi se kush do të jetë kandidati për kryeministër nga radhët e partisë së tij.
Në një intervistë në Klan Kosova, Tahiri ka thënë se në ditët në vazhdim do të dalin me kandidatin e tyre.
“Për ne ky diskutim nuk ka filluar sot. Ky diskutim ka filluar shumë më herët. Kemi punuar që vendi të shkojë në zgjedhje dhe ta ndalim këtë degradim. Ne jemi në finalizim të krejt këtij angazhimi dhe besoj që në ditët në vazhdim do të dalim me kandidatin tonë për kryeministër dhe listën tonë zgjedhore”, ka thënë Tahiri.
Tutje deputeti i PDK-së është shprehur shumë shpresues se në këtë zgjedhje të parakohshme partia e tij do të shënoj fitore të madhe.
“PDK-ja është parti që këtë periudhë ka qenë në opozitë, pra nuk ka qenë as në qeverinë e parë dhe as në të dytën. PDK-ja është partneri më i besueshëm dhe më i sigurtë i qytetarëve të Kosovës dhe jemi të bindur që në këto zgjedhje do të shënojmë fitore të jashtëzakonshme dhe do ta qeverisim vendin”, ka thënë Tahiri.