Të gjithë dhjetë sekretarët amerikanë të shtetit që ende jetojnë, përfshirë edhe dy prej tyre që kanë punuar për Donald Trumpin, i kanë bërë thirrje atij dhe mbështetësve të tij që ta pranojnë humbjen e zgjedhjeve dhe kanë alarmuar kundër përpjekjeve për ta përfshirë ushtrinë në përpjekjet e dëshpëruara për ta përmbysur rezultatin.
Në një letër të paprecedent të publikuar në Washington Post, sekretarët e mbrojtjes iu adresuan frikërave më të këqija se çka mund të ndodh në 17 ditët e mbetura të administratës Trump para inaugurimit të Joe Bidenit si president: përpjekja nga Trumpi për të nxitur kriza me qëllimin e shkaktimit të një intervenimi ushtarak.
“Përpjekjet për të përfshirë forcat ushtarake amerikane për të zgjidhur kontestimin e zgjedhjeve do të na çonte në një territor të rrezikshëm, të paligjshëm dhe jokushtetues,” thuhet në letër, përcjell periskopi.
Civilët dhe zyrtarët ushtarakë që drejtojnë apo menaxhojnë këto masa do të mbahen përgjegjës, përfshirë edhe shkaktimin e mundshëm të shkeljeve kriminale, për pasojat e rënda të veprimeve të tyre në republikën tonë.”
Mes nënshkruesve të letrës ishin edhe James Mattis dhe Mark Esper, të cilët kishin shërbyer si sekretarë të mbrojtjes në administratën e Donald Trump.
Esperi haptas e kishte kundërshtuar Trumpin në qershor duke insistuar se nuk kishte bazë Akti i Kryengritjes, që lejon vendosjen e trupave amerikane në rrugët amerikane nën rrethana ekstreme.
“Tranzicionet (e pushtetit), të cilat të gjithë ne i kemi përjetuar, janë pjesë kyçe e transferit të suksesshëm të pushtetit. Ato shpesh ndodhin në rrethana të pasigurta ndërkombëtare për politikën e sigurisë kombëtare të ShBA-ve,” shkruajnë ish sekretarët e mbrojtjes. “Ato mund të jenë momente kur kombi është i lëndueshëm nga veprime prej kundërshtarëve që kërkojnë të përfitojnë nga situata.”
Washington Posti ka cituar Eric Edelmanin, ish ambasadorin amerikan dhe ish zyrtarin e mbrojtjes, duke thënë se gjeneza e kësaj letre të paprecedent ishte një bisedë që kishte pasur me Dick Cheneyn për mënyrën se si ushtria mund të përdorej në ditët e ardhshme.