Ish-ministri Sllavisha Petkoviq ka thënë se Lista Serbe ka plan të shpërndajë votat në komunitetet tjera që të marrin deputetë të cilët në të ardhmen do t’i bashkoheshin Listës Serbe.
Ai tha se ky është një skenar i njëjtë sikur në Bosnjë e Hercegovinë.
“Këtu po tentohet ai skenari që është zbatuar në Bosnjë, në zgjedhjet e kaluara në Bosnjë e Hercegovinë, kur me votat e boshnjakëve është zgjedhur anëtari kroat i Presidencës së Bosnjës. Fatkeqësisht, edhe kjo është e mundur. Së dyti, kjo është ndërrim i vullnetit të qytetarëve, me përpjekje të ushtrimit të ndikimit mbi komunitetet pakicë, që të ndryshohet baraspesha”, tha Petkoviq.
“Të them dy fjalë, nëse Vetëvendosje tash do të fitonte 51, 53, pastaj edhe 10 ulëse të pakicave, dmth. 60 e diçka deputetë, e pastaj, nuk e di, i fitojmë edhe ne një apo dy deputetë, e kaq, u bë qeveria. Nuk ka nevojë për Listën Serbe. Ata përpiqen në pjesën tjetër, në pjesën e komuniteteve të tjera, të tërheqin 2-3 deputetë, që të mos e lejojnë Vetëvendosjen të bëjë 61 deputetë të mjaftueshëm pa një parti tjetër shqiptare. Kjo skemë është qartësisht në veprim tashmë, ashtu që Vetëvendosje të mos mund të arrijë”, tha Petkoviq në “Kallxo Pernime”.
“Kemi një gjë të çuditshme këtu, keni kujdes. Listës Serbe nuk i ka penguar as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj, që ishin apo janë të akuzuar, sepse nuk e di, për mizori, nuk po lëshohem te fajësia e tyre, thjesht po theksoj faktin. Por, ju pengon Albin Kurti, që nuk ka qenë fare në luftë. Prej asaj që kam kuptuar në ndërkohë, e të tjera, me të nuk mund të bëjnë pazare! Nuk ka biznese me të. A po më kuptoni tash? Lista Serbe është organizatë biznesi. Po besoj me Albin Kurtin nuk kanë arritur të nxjerrin ndonjë biznes të tillë”, tha tutje Petkoviq.