Opinionistja Kimete Berisha, së fundmi është rreshtuar përkrah Albin Kurtit, kur ky i fundit është bërë lideri politik me mbështetjen më të madhe të qytetarëve. Pak vite më parë, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë kreun e saj, Albin Kurti, Kimete Berisha i konsideronte “njerëz jonormalë” e “të sëmurë”. Ata – thoshte opinionistja- kanë nevojë për mjekim dhe “duhet të shkojnë në spital, jo në burg”.
Në shkurt të vitit 2016, kishte nisur një peticion për largimin e ambasadorit amerikan Greg Delawie nga Kosova. Roland Bartetzko që e kishte nisur këtë peticion, ndër arsyet, përmendte edhe kundërshtimin e hedhjes së gazit lotsjellës, ndërsa Kimete Berisha reagonte ashpër ndaj kësaj, duke u treguar e pamëshirshme ndaj atyre që hidhnin gaz lotsjellës në Kuvend, e që tash i mbështet.
“‘Shaban’ gjermani që e ka inicuar peticionin kundër ambasadorit amerikan më të ‘butë’ që kemi njohur deri tani është ankuar se pse ambasadori po i përkrah institucionet e Kosovës, pse po kërkon dialog politik, pse është kategorik kundër dhunës në parlament dhe pse nuk thotë se ‘gazi lotsjellës është mjet politik’”, shkruante Berisha.
“Gjejeni ndonjë ide tjetër, të mençur, që dhez, sepse të kërkosh nga presidenti Obama shkarkimin e ambasadorit amerikan vetëm pse ai nuk e përkrah dhunën në parlament, e vetmja këshillë miqësore që do të vinte nga Amerika në peticionin tuaj do të ishte: shërojini njerëzit, lypni ilaç, lëvizni, ecni, hapeni një senatorium të madh në mal, dhe eventualisht do të xhirohej ndonjë film amerikan për fenomenin e një grushti shqiptarësh që janë të bindur se gazi lotsjellës është mjet politik”, vazhdonte ajo.
Ajo shprehej e bindur se kjo nismë dështon në çfarëdo mënyre, ndërsa theksonte se “vetëm njerëzit jonormalë mendojnë se përdorimi i gazit lotsjellës është gjë normale”.
Albin Kurtin dhe të tjerët, Kimete Berisha thoshte se qytetarët do të mund t’i pështynin rrugës atë kohë.
“Vetëm nëse e kanë sosë ta nisin një luftë mëhallash, përndryshe nëse e vazhdojnë forën me gazra, njerëzit do të fillojnë t’i pështyjnë rrugës, s’do t’u lënë kund vend”, shkruante ajo. “Asnjë njeri normal nuk do tym, flakë, urrejtje e dhunë. Binduni”, vazhdonte ajo.
Kimete Berisha thoshte se Albin Kurti dhe të tjerët nuk e kanë vendin në burg, por në qendrën shëndetësore ku mjekohen të sëmurët.
“Ama, nëse deputetët nuk po aktrojnë por përnjëmend janë të bindur se përdorimi i gazit lotsjellës në parlament është gjë normale atëherë po hyni në gjynah me ta, ata kanë nevojë për ndihmë profesionale, nuk e kanë vendin në burg, por në senatorium”, shkruante Berisha.
https://www.facebook.com/kimete.berisha/posts/994999983871242