Në fund të kësaj jave Lidhja Demokratike do të bëhet me kryetar të ri. Isa Mustafa do ta lirojë karrigen më të rëndësishme të LDK-së pas më shumë se një dekade në krye. Tashmë janë disa pretendentë për të hyrë në garë, megjithatë, kush arrin ta kalojë ‘pragun’ e LDK-së mbetet të shihet të dielën.
Saktësisht një muaj pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 14 shkurtit që e radhitën Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti të tretë, me rezultatin më të dobët në historinë e këtij subjekti politik, Isa Mustafa do të lirojë edhe zyrtarisht karrigen e kryetarit që e mbajti për mbi një dekadë.
Ende pa i skaduar mandati, Mustafa ka vendosur që në Kuvend të LDK-së për dy vitet e ardhshme të emërohet një kryetar i përkohshëm i subjektit, që do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen këtë vit.
Me 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të vendosin se kush do të udhëheq me këtë parti për dy vitet e ardhshme.
Nga të gjitha komunat në Kuvend zgjedhor do të mblidhen për të dhënë votën e tyre, derisa, atë ditë zyrtarisht do të dihet edhe kush janë pretendentët për të udhëhequr subjektin më të vjetër politik në Kosovë.
Tashmë disa pretendentë për karrigen më të rëndësishme të partisë veçse kanë shpallur kandidaturat e të njëjtat zyrtarisht mund t’ia përcjellin sekretarit të Lidhjes Demokratike, për Komisionin Kandidues.
Mirëpo, për të dalë para 355 delegatëve të LDK-së në mënyrë që të votohesh për t’u bërë prijës i tyre nuk është aq e lehtë. Hiç më larg se në Kuvendin e fundit, Fatmir Sejdiu kishte dështuar të marrë votat e gjysmës së delegatëve në mënyrë që të iu aprovohet kandidatura për kryetar të partisë. Të njëjtin fat e kishte pasur vite më parë edhe Vjosa Osmani.
Sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ditën që vendoset se do të emërohen strukturat e reja të subjektit, mblidhen në Kuvend zgjedhor delegatët e partisë.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.
Në këtë mënyrë nëse të pranishëm në sallë janë 355 delegatë, atëherë duhet që një kandidat të marrë 50 për qind plus 1 të votave të totalit të delegatëve.
Anton Quni, Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala e Melihate Tërmkolli deri tani janë vetëm disa prej emrave që kanë deklaruar publikisht se do të jenë kandidat apo janë përfolur në opinionin.
Mirëpo, nëse të njëjtët do të kandidojnë edhe zyrtarisht, fillimisht do të duhet ta kalojnë pragun e votave për t’i hyrë pastaj edhe garës.
Në këtë mënyrë, votat e delegatëve mund të eliminojnë me 14 mars ndonjërin prej tyre duke mos ia dhënë të drejtës të i hyjë garës për t’u matur me votë në raundin final.
Krejt kjo determinohet nga votat e degëve të caktuara. Secila degë e LDK-së ka numrin e caktuar e për zgjedhjen e tyre vendoset në Kryesi të LDK-së, me autorizimin e Këshillit të Përgjithshëm.
Isa Mustafa dha dorëheqje nga LDK-ja me datë 15 shkurt, një ditë pas rezultateve të para të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Nga partia më e votuar në Kosovë, LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit, përveç se është radhitur e treta, po ashtu ka dalë me një humbje të thellë e diferencë të madhe nga subjekti i parë, Lëvizja Vetëvendosje.
Mustafa ishte zgjedhur në krye të Lidhjes Demokratike në vitin 2010-të. Ai në atë kohë mbante postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, derisa kishte garuar në Kuvendin e shtatë zgjedhor të Lidhjes Demokratike kundër Fatmir Sejdiut duke fituar kështu me 234 vota.
Kuvendi zgjedhor i LDK-së kishte zgjedhur Isa Mustafën për herë të dytë kryetar të partisë në vitin 2015-të.
Saktësisht më 31 maj të vitit 2015-të, Isa Mustafa kishte marrë besimin e shumicës së delegatëve të Kuvendit zgjedhor, me vetëm 2 vota kundër nga 350 sish.
Zgjedhja e Mustafës atëkohë edhe për edhe një mandat të kryetarit të LDK-së ishte bërë me aklamacion dhe vetëm me kandidaturën e tij, ndërkohë që delegatët e LDK-së nuk e kishin aprovuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të kësaj partie, duke i dhënë asaj vetëm 62 vota.
Në vitin 2019-të, Mustafa ishte zgjedhur në krye të këtij subjekti për herë të tretë, pasi që paraprakisht delegatët nuk kishin votuar që Fatmir Sejdiu të ishte kundërkandidat i tij.
Në Kuvendin e 9-të zgjedhor ai kishte marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve. Procesi i Kuvendit Zgjedhor ndërkaq ishte mbajtur me dyer të mbyllura për publikun.
Ish-kryetari i Prishtinës që ka udhëhequr për një kohë të gjatë në këtë subjekt e ka parë LDK-në të dalë nga rezultate të ndryshme prej zgjedhjeve të përgjithshme e komunale.
Në vitin e parë sa ishte në krye të LDK-së Isa Mustafa, ky subjekt kishte dalë i dyti nga zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u radhitur pas PDK-së me 172 mijë e 552 vota.
Në vitin 2014-të, LDK-ja ishte radhitur përsëri e dyta në zgjedhje kësaj here me 184.594 vota apo 25,24%.
Ani pse kishte marrë më shumë vota se vitet paraprake, LDK kishte pësuar rënie në vitin 2017-të, kur u radhit e treta pas PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke marrë gjithsej 185 mijë e 885.
Me kandidate për kryeminsitre, Vjosa Osmanin, LDK-ja arriti që të dalë në përqindjen më të madhe në 10 vitet e fundit.
Duke u radhitur në vend të dytë pas LVV-së së Albin Kurtit, LDK-ja ka marrë gjithsej 206 mijë e 516 vota.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit me kandidat për kryeministër, Avullah Hotin, LDK-ja ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj.