Më 8 mars janë bërë dhjetë vjet që nga mbajtja e takimit të parë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të Brukselit.
Në pranverën e 2011-ës delegacioin e Kosovës e udhëhiqte, Edita Tahiri, ndërkaq përballë saj Serbia kishte vendosur, Borisllav Stefanoviqin.
Është Stefanoviq që në një intervistë për KlanKosova.tv ka dhënë vlerësimet e tij prej kur ka qenë i kyçur në këtë proces dhe më pas pikëvështrimin për rrjedhën njëdekadëshe të zhvillimeve mes dy palëve.
Ai ka folur për procesin e njohjes e reciproke Kosovë-Serbi, që është cak që synohet të arrihet përmes procesit të bisedimeve.
Stefanoviq ka thënë se është kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, duke shtuar se këtë Serbisë nuk është duke ia kërkuar as Bashkimi Evropian.
“Nuk besoj në zgjidhje të lehta. Gjithashtu nuk besoj që Bashkimi Evropian është duke ia kërkuar Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Ne respektojmë faktin se shumë vende të respektuara dhe të rëndësishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si të drejtë të tyre të posaçme”.
“Tutje, është thjeshtëzim dhe rrezik nëse dikush beson se njohja e Kosovës nga Beogradi do të zgjidhte diçka nga ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë sot, apo nuk do ta bënte dikë të jetë në situatë më të mirë ekonomike, sociale ose të sigurisë”, ka thënë Stefanoviq.
“Këmbëngulja e vazhdueshme nga kryeqendrat që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që edhe Beogradi ta bëjë të njëjtën, neve po na largon nga problemet reale dhe eleminimi i tyre. Unë thjeshtë refuzoj të besoj se dikush në Prishtinë beson se një një veprim i qeverisë sonë mund ta ndryshojë realitetin në Kosovë. Mbi të gjitha, kemi dëgjuar për vite nga Prishtina që Kosova është e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht si shtet. Atëherë pse ju duhet njohja nga ne?”.
Stefanoviq ka theksuar se njohja vetëm do t’i largonte Kosovën dhe Serbinë.
Në këtë intervistë nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë ka thënë se zgjatja e negociatave iu konvenon akterëve të ndryshëm në Beograd dhe Prishtinë.
Ndërkaq ka shtuar se edhe sikur të ishte në pushtet nuk do ta njihte Kosovën si të mëvetshme. Për të pajtimi Kosovë-Serbi do të niste të ndodhte kur Vuçiq të bie nga pushteti – që për të është afër të ndodhë.