1.4 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

‘’Heshtja e madhe’’, Izraeli nuk komenton nëse do t’i dërgojë vaksina anti-Covid Kosovës, Qeveria Hoti pa përgjigje

Rekomandime

Ka disa ditë që Kosova ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem të Izraelit. Por, ende nuk dihet zyrtarisht nëse vendi hebraik të ketë premtuar vaksina anti-Covid për Kosovën siç ka bërë me vendet e tjera që kanë hapur përfaqësitë e tyre diplomatike në kryeqytetin e shpallur të Izraelit.

- Advertisement -

Përveç premtimeve, qeveria izraelite tanimë ka dërguar kontingjentin e parë të vaksinave në Guatemala dhe Honduras, vende që kanë hapur misionet e tyre diplomatike në Jerusalem.

E premtime për vaksina Izraeli i ka dhënë edhe Çekisë, që javë më parë hapi Zyrën e saj diplomatike në kryeqytetin e kontestuar izraelit.

Për çështjen nëse Izraeli ka premtuar dërgimin e vaksinës anti-Covid për Kosovën, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ e ka pyetur Kabinetin e Kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

- Advertisement -

Por, të dy këto institucione, që uruan zyrtarizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadës në Jerusalem, nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse Izraeli ka premtuar dërgimin e vaksinës kundër coronavirusit.

Njëkohësisht, Kabineti i Hotit dhe MPJ nuk kanë treguar për Reporteri.net. nëse kanë kërkuar vaksina nga qeveria izraelite.

- Advertisement -

Megjithatë, MPJ e Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook ka treguar se Izraeli ka shprehur gatishmërinë “që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme”.

E për këtë u njoftua se do të mbëhet edhe një takim mes ministrave të Shëndetësisë të të dyja vende.

‘’Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës. Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme’’, shkroi MPJ në Facebook.

Por, për këtë çështje, autoritetet e Izraelit, të kontaktuara nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, nuk janë deklaruar.

Në përgjigjen e tyre të shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit hebre ka thënë se kanë vendosur që këtë çështje të mos e komentojnë në këtë kohë.

‘’Nuk jemi duke komentuar mbi këtë çështje në këtë kohë. Nëse kjo ndryshon, do t’iu tregojmë’’, tha të mërkurën, Dorit Hersovich, zëdhënëse në MPJ e Izraelit për Reporteri.net.

E rreth pandemisë COVID-19 këtë të mërkure kanë biseduar ministrat e Shëndetësisë të të dyja vendeve.

Pas takimit me homologun e tij izraelit, Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, ka thënë se me Yuli Edelstein ka biseduar për gjendjen e pandemisë në vend. Por, pa treguar nëse Edelstein të ketë premtuar vaksina kundër COVID-19 për Kosovën.

‘’Republika e Kosovës është e bekuar me miqësinë e popullit dhe shtetit të Izraelit, i cili ishte përkrah qytetarëve tanë në kohën kur na kanosej ekzistenca, ashtu sikur që ne mbajtëm besën në kohët e vështira kur kombet tjera ishin të pabesë ndaj tyre. Andaj, edhe sot, brengat tona i trajtuam në pajtim me situatën e pandemisë, luftimin dhe parandalimin virusit si dhe angazhimin tonë në sigurimin e vaksinave anti Covid’’, shkroi Zemaj në profilin e tij në Facebook, përcjellë Reporteri.net.

As Edelstein e as Ministria e Shëndetësisë e Izraelit nuk ka postuar ndonjë për takimin me Zemajt.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit