Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, njoftoi të martën se të hënën është dashur që dhjetë herë për gjashtë orë të dërgojë aeroplanë në qiell për t’i penguar aeroplanët rusë në disa zona.
Sipas njoftimit, fluturimet e aeroplanëve rusë u penguan afër hapësirave ajrore që kontrollohen nga NATO-ja në pjesën veriore të Oqeanit Atlantikut, Detit Verior, Detit Baltik dhe Detit të Zi, shkruan BBC.
Ndaj kësaj deklarate nuk pati reagim të menjëhershëm nga Rusia, e cila së fundi e ka akuzuar NATO-n se po e ndjek rrugën e konfrontimit. Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Moskës që ta vazhdojë dialogun.
NATO-ja tha se pengoi gjashtë grupe të aeroplanëve rusë:
-Aeroplanët norvegjezë, F-16, fluturuan për t’i penguar dy aeroplanë rusë, Tu-95 Ariu, afër bregdetit norvegjez.
-Aeroplanët rusë më pas fluturuan drejt jugut për në Detin Verior, duke e nxitur reagimin e aeroplanëve të forcave ajrore të Britanisë së Madhe dhe Belgjikës.
-Dy bombardues rusë të tipit “Tu-160 Blackjack” më vonë u penguan nga forcat ajrore norvegjeze.
-Aeroplanët e aleancës gjithashtu përcollën tre aeroplanë rusë mbi Detin e Zi.
-Një aeroplan patrullues rus për sipërfaqe ujore u pengua nga aeroplanët italianë mbi Detin Baltik, afër Kaliningradit.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s u përkeqësuan në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina, ndërsa rebelët e përkrahur nga Moska filluan luftime të përgjakshme me ushtrinë ukrainase.