17.9 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Nga Mannheimi në krye të Preshevës me “vendim të Zotit”, kush është Shqiprim Arifi

Rekomandime

Edhe një herë, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar i Preshevës.

Politikani nga Tërnava e Preshevës gjeti një fitore disa ditë pasi dështoi në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

- Advertisement -

Në ditën kur u kthye në karrigën e kryetarit tha se “Zoti jep pushtet e merr pushtet” dhe qau.

Shqiprim Arifi të hënën u bë për herë të tretë kryetar i Preshevës, komunës më të madhe në Luginë, aty ku ishte kthyer nga Gjermania rreth 20 vjet më parë. Pas zgjedhjeve lokale në vitin 2016, ai u zgjodh për herë të parë kryetar i Komunës së Preshevës, ndërsa në shkurt 2018 u rizgjodh në të njëjtën pozitë.

Zotin e falënderoi sapo e mori fjalën në Kuvendin Komunal, ku 20 këshilltarë komunalë votuan për të. Ishin po aq që paraprakisht votuan për shkarkimin e Ardita Sinanit nga ajo pozitë. Arifi beson se Zoti ka planifikuar dhe në fund ka marrë “vendim” që atë ta bëjë sërish kryetar të Preshevës.

- Advertisement -

“Pikë së pari njëherë dua ta feleminderoj në këtë muaj të shenjtë Zotin, i cili ma ka mundësuar prapë me qëndru këtu dhe i cili jep pushtet, merr pushtet dhe prapë jep pushtet ashtu ai siç mendon dhe ashtu ai siç e planifikon, dhe unë jam i kënaqur me vendimin e tij që me qenë prapë këtu”, tha Arifi dhe ia plasi vajit më pas.

Kryetari i Alternativës për Ndryshim duket të jetë politikani më “i padisiplinuar” i Luginës në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, dy shtetet që së paku deklarativisht brengosen për shqiptarët në atë pjesë dhe ku duan që përfaqësuesit e tyre të jenë sa më të bashkuar.

- Advertisement -

Bashkimi i shqiptarëve ishte këshilla e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dje në takim me përfaqësuesit politikë të Luginës, të cilët i priti në zyrën e tij. Shqiprim Arifi dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu nuk morën pjesë aty dhe e bënë të kundërtën e asaj që porositi Kurti. U bashkuan në Kuvendin Komunal të Preshevës për ta rrëzuar Ardita Sinanit nga karrigia e kryetares.

Pasi s’e dëgjoi kryeministrin e Kosovës, Arifi tha në Frontal të T7 se Kurti nuk ka njohuri për zhvillimet në Preshevë dhe e akuzoi ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu si njeriun që e ka nxitur kreun e Qeverisë që t’i mblidhte përfaqësuesit politikë të Luginës për ta parandaluar ndryshimin e qeverisjes atje.

Pak më vonë, ministri Aliu tha se shpreson që tash e tutje Arifi ta fillojë komunikimin me Prishtinën dhe Tiranën. “Ky komunikim nuk ka munguar me Beogradin”, tha ai në RTK.

Aliu mendon se do të duhej të priteshin zgjedhjet e radhës lokale, pasi tha se rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Serbi kishte treguar se Arifi nuk doli mirë.

Ardita Sinani e quajti hakmarrje shkarkimin e saj pak ditë pasi partitë politike dështuan ta fitonin ndonjë mandat në Kuvendin e Serbisë. Deputet nuk arriti të rizgjedhej as Shaip Kamberi, bashkëpartiak i saj në Partinë për Veprim Demokratik, një kundërshtar politik i Shqiprim Arifit.

Në zgjedhjet parlamentare, Arifi mori rreth 3,000 vota.

Para se të futej në politikë, Shqiprim Arifi angazhohej në shoqatën e quajtur “Qendra Solidaritetit dhe Avancimit”. Në vitin 2015 së bashku me një grup të rinjsh e themeluan partinë “Aleternativa Për Ndryshim”. Ishte shumë i zëshëm në opozitë. Partnerin e tij aktual, Sami Salihun, e kishte quajtur “tradhtar” dhe “rrenc” para më pak se një viti, kur s’ishin në të njëjtën anë.

Shqiprim Arifi, politikani, të cilit i pëlqen t’i përdorë disa shprehje në gjermanisht e të paraqitet si biznesmen i suksesshëm dhe model për bashkatdhetarët, ka lindur më 14 qershor 1976 në Mannheim, “qytetin universitar” siç njihet në Gjermani. Ai është me origjinë nga fshati Tërnavë i Preshevës.

Në shtetin e fuqishëm në qendër të Europës, Arifi ndoqi shkollën fillore Karl-Boch nga viti 1987 deri në 1995, ku arriti nivelin e “Fazës së mesme II” dhe më pas ndoqi Fakultetin Ekonomik në degën e logjistikës “Wirtschaft I”, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1998.

Në fund të viteve ’90, Shqiprim Arifi kishte nisur të punonte në kompaninë gjermane, “HAAF”, e cila merret me zgjidhje transporti dhe logjistike për industrinë e automobilave, kimikateve, ndërtimit e paketimit. Aty përshkruhet se ka qenë “menaxher i sektorit ndërkombëtar”.

Një vit para se të zbarkonte në Preshevë, ai e kishte nisur një biznes privat në fushën e logjistikës. Degë të kompanisë së tij thuhet se ishin hapur në Stuttgart, Leipzig, Hamburg, Bratisllavë e Kumanovë.

Në Preshevë u zhvendos për të jetuar që nga viti 2003.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit