9.1 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti para FSK-së në “Defender Europe 2021”

Rekomandime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten, Vjosa Osmani dhe me zyrtarë të tjerë qeveritar kanë vizituar sot në në Gjakovë ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”, shkruan Gazeta Express.

- Advertisement -

Kryeministri Kurti, u njoftua për stërvitjet e përbashkëta me trupat e vendeve aleate, aftësitë dhe gatishmërinë̈ e ushtarëve të FSK-së si dhe ndërveprueshmërinë e tyre me partnerët tanë strategjikë.

Ai theksoi se profesionalizmi i treguar në këtë demonstrim operacionesh vërteton që FSK jo vetëm që është e vullnetshme, por edhe e gatshme dhe e aftë, për të ndihmuar e kontribuar në sigurinë kontinentale e globale.

- Advertisement -

Fjalimi i plotë i Albin Kurtit në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”:

E nderuara znj. Presidente Vjosa Osmani,

- Advertisement -

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Meha,

Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Rama,

Të nderuar ministra, të Punëve të Jashtme, znj. Gërvalla, të Punëve të Brendshme, z. Sveçla,

Të nderuar shkëlqesi Ambasadorë dhe

Atashe të shteteve mike,

I nderuar Gjeneral Brigade, z. Schaertl,

Ushtarë, oficerë dhe nënoficerë të Ushtrisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Ju përgëzoj për gjithë angazhimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që treguat gjatë këtij ushtrimi, që është me rëndësi të posaçme për vendin tonë. Veçantia e ushtrimit “Defender 21”, lidhet me faktin që partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dhanë besimin vendit tonë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që për herë të parë të mirëpresë një pjesë të këtij ushtrimi në territorin e Republikës sonë. Pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin “Defender 21” dëshmon qartë për synimin e vendit tonë për të formësuar një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë.

Profesionalizmi juaj i treguar në këtë demonstrim operacionesh që sapo pamë, vërteton që FSK jo vetëm që është e vullnetshme, por edhe e gatshme sepse e aftë, për të ndihmuar e kontribuar në sigurinë kontinentale e globale.

Ndërveprimi e bashkëpunimi në stërvitje e ushtrime, në aksion e operacion, është besim e vetëbesim, i ndërsjellë dhe i shtuar.

Ushtarakë të nderuar,

Gjatë këtij ushtrimi, ju keni shtyrë kufijtë më të skajshëm, kufizimet e juaja fizike dhe psikike, me të vetmin qëllim që të dëshmoni para vetes, qytetarëve dhe partnerëve tanë, që Forca jonë është e përkushtuar dhe e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë dhe se çdo ditë e më shumë është duke arritur standardet që kërkohen për të qenë pjesë e strukturave euro-atlantike.

Ushtrimi “Defender 21” ndër synimet kryesore ka ndërveprueshmërinë. Unë, jam i sigurt, që pas këtij ushtrimi ju do të jeni shumë më të aftë për të ndërvepruar me partnerët tanë në funksion të promovimit të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit të drejtë e afatgjatë kudo në botë.

Të nderuar oficerë dhe nënoficerë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara,

Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderoj për angazhimin dhe përkrahjen që dhatë gjatë këtij ushtrimi për ngritjen e kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Roli juaj në këtë ushtrim është një hallkë e zinxhirit të mbështetjes së ShBA-ve për zhvillimin e vendit tonë dhe në veçanti për ngritjen e aftësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës është fisnikëri e vendit tonë, është mishërim i së kaluarës së dhimbshme por të lavdishme, dhe, i të tashmes sfiduese por drejt të ardhmes prosperuese.

Jam i bindur që pas këtij ushtrimi, Forca e Sigurisë së Kosovës ka fituar aftësi të reja ushtarake, dhe, edhe një herë ju përgëzoj për arritjet e njëherit ju siguroj që kabineti im qeveritar do të vazhdoj mbështetjen e do ta shtoj buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës në rrugën e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.

Populli ynë e do dhe e mirëpret paqen. Shteti ynë është faktor dhe kontribues i paqes. Bashkë qëndrojmë krenarë dhe dalim fitimtarë.

Ju faleminderit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit