13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Perëndimi i kthehet idesë së ‘dy Gjermanive’, për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Rekomandime

Gati një vit pas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia do t’i kthehen këtë muaj tryezës së bisedimeve.

- Advertisement -

Ndryshe nga vitet e kaluara, negociuesi kryesor nuk do të ulet në një karrige, por në dy, sepse Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë vendosur të ulen kokë më kokë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.

Nëse një vit më parë, kryefjala e dialogut ishte normalizimi i marrëdhënieve ekonomike, kësaj radhe SHBA dhe BE po ndjekin një qasje ndryshe, duke e nisur dialogun me pretime që joshin të dyja palët. Kosovës sipas mediave serbe po i ofrohet njohja nga disa vendeve anëtare të BE-së, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në OKB. Por përfituesja më e madhe sipas këtyre raporteve do të jetë Serbia, e cila duket se do të mund t’i bëjë bisht detyrimit të saj më të madh nga dialogu mes dy vendeve, njohjes së pavarësisë.

Gazeta serbe “Danas”, shkruan se përpara nisje së dialogut, Perëndimi ka zgjedhur një qasje të re për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve, duke e hequr nga tryeza kushtin ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës. Sipas mediave serbe, SHBA dhe BE i janë kthyer idesë së “dy Gjermanive” si model për zgjidhjen e çështjes Kosovë – Serbi.

- Advertisement -

Sipas gazetës “Danas”, Perëndimi i është kthyer kësaj ideje, të hedhur poshtë më parë nga institucionet e Kosovës, pasi ka kuptuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Sipas burimeve tona ajo që së fundi është paraqitur si ide, sidomos e shteteve të forta të BE-së si Gjermania e Franca, është që marrëdhëniet Kosovë – Serbi të rregullohen në mënyrë që në të ardhmen autoritetet serbe të mos pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Siç përcaktohet, përfaqësuesi i Kosovës nuk do të njihej si ambasador dhe Serbia nuk do të ishte e obliguar të hiqte Kosovën nga materialet e saj gjeografike, njësoj siç ka bërë dikur Gjermania Perëndimore që e paraqiste Gjermaninë Lindore si pjesë të përbashkët të një shteti”, ka shkruar gazeta “Danas”.

- Advertisement -

Sipas kësaj të përditshme, “edhe administrata Biden pajtohet me këtë, ndonëse do të ishte më mirë që Beogradi të njihte Prishtinën.

Kjo ide është hedhur për herë të fundit po në Bruksel në vitin 2019, kur kancelarja gjermane Angela Merkel mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor në një samit. Media publike gjermane Deutche Welle raportoi në atë kohë, duke iu referuar burimeve brenda qeverisë gjermane, se Merkel kishte propozuar që zgjidhja mes Kosovës e Serbisë duhet të bazohet në marrëveshjen e vitit 1972 ndërmjet Gjermanisë Perëndimore e Gjermanisë Lindore.Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Willy Brandt kryesoi marrëveshjen si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve kundrejt ish Republikës Demokrate të Gjermanisë dhe ish Gjermanisë Perëndimore. Marrëveshja u mundësoi dy shteteve gjermane të normalizojnë marrëdhëniet e tyre pa e njohur njëra tjetrën.

Por a është e mundur që politika për normalizim e ish Kancelarit Brands të përdoret në rastin e Serbisë dhe Kosovës? Deutsche Welle shkruante në atë kohë se Presidenti Vuçiç kishte refuzuar fillimisht të nënshkruante ndonjë dokument që e ndalon Serbinë për të penguar Kosovën për tu anëtarësuar në institucione ndërkombëtare, por kishte pranuar më vonë se kjo ishte më mirë se njohja de facto e pavarësisë së Kosovës.

Sipas ekspertit për Ballkanin, Werner Weidenfeld, në situatën aktuale as Kosova as Serbia nuk janë të gatshme të heqin dorë nga qëndrimi i tyre. “Është e njëjta situatë si dikur mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore: dy pikëpamje të ndryshme, askush në thelb nuk heq dorë në parim, por ka një interes për përmirësimin praktik të situatës. Të gjitha palët vazhdojnë në parim pozicionin e tyre, por përtej tij ka një përmirësim të situatës praktike. Nëse ato janë të interesuara për kontakte më të mira, për shembull, në heqjen e pengesave për qarkullimin, atëherë modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të shërbejë sigurisht si model. Por në një marrëveshje të tillë nuk duhet të përfshihet çështja e statusit të Kosovës”, thekson eksperti.

Por eksperti shqiptaro-amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare Mehdi Hyseni kundërshton ashpër këtë propozim, duke thënë se marrëveshja e vitit 1972 ishte pakt midis popullit gjerman ndërkohë që kur flasim për Kosovën dhe Serbinë kemi dy popullsi të ndryshme. Sipas tij, kjo nismë do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës pas shpallje së Pavarësisë.

“Sipas “modelit të dy Gjermanive”, Serbia do ta rikthente Kosovën nën ombrellën e saj kolonialiste shekullore (1912-1999), ashtu sikurse Gjermania Perëndimore, që e riktheu Gjermaninë Lindore, më 1990. kjo do të ishte një padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës, sepse as territori e as popullsia e saj me mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët me serbët, me territorin dhe me Serbinë kolonialiste, por vetëm me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me territorin indigjen të tyre, ashtu sikurse Gjermania Perëndimore me gjermanët dhe me territorin e Gjermanisë Lindore Demokratike”, shkruan analisti në një analizë të gjatë dedikuar këtij propozimi. Pra, një model i “dy Gjermanive”, do të mund të t’u imponohej shqiptarëve dhe Kosovës së Shqipërisë, vetëm sikur Serbia të ishte Shqipëri dhe sikur serbët të kishin qenë shqiptarë, sikurse gjermanët ishin i njëjti popull (jo dy popuj të ndryshëm gjermanë dhe ruse) që jetonin në territorin gjerman, jo dy territore të ndryshme gjermane-ruse”.

Sipas Hysenit, një model i tillë nuk përkon as me kohën e as me realitetet e krijuara në Europën Lidore dhe do të çonte në gjithçka tjetër veçse normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit