Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka kërkuar që t’i alokohen kësaj ministrie 4.6 milionë euro për blerje të dronëve, që do të shërbenin për rritjen e inteligjencës në vëzhgim, si nevojë e mbrojtjes, por që është kundërshtuar nga ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.
“Përmes Ministrisë së Mbrojtjes, përmes analizës kemi nevoje për dronë për rritjen e inteligjencës e vëzhgim, ministria ka bërë kërkesë për blerje të dronit”, tha ministri Mehaj.
Ai ka treguar se tashmë kanë pranuar një ofertë dhe se 1 milion euro mund ti sigurojë vet ministria të cilën ai e drejton, duke treguar edhe modalitetet e pagesës.
“Pagesa e shumës mund të bëhet në dy këste, në 50 % të shumës duhet të bëhet në nënshkrimin e kontratës, pjesa tjetër duhet të bëhet deri në mars të 2022. Andaj kërkojmë që 4.5 milionë euro, sepse 1 milionë euro mund t’i sigurojmë si ministri. Oferta nga SHBA-të mund të vlejë deri më 26 qershor” ka sqaruar thënë Mehaj.
Mirëpo kundërshtues ishte ministri serb për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq i cili ka thënë se nuk ka vend për një kërkesë të tillë, kur vendi duhet përqendruar në rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të vendeve të punës.
“Ne duhet të merremi me ri këmbjen ekonomike dhe rritjen e vendeve të punës dhe kërkesa e ministri Mehaj është e papranueshme. Prioritet duhet të jenë këto për qeverinë” , ka kundërshtuar Rakiq.