Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka zbuluar një person që dyshohet se kreu një vjedhje në aeroplan gjatë fluturimit Gjermani – Kosovë.
Rasti i vjedhjes është raportuar më datë 4 korrik 2021 në nënstacionin Magure, nga M.R. 57-vjeçar nga fshati Petrovë i Komunës së Shtimes.
Sipas burimeve të portalit Indeks, ankuesi kishte deklaruar se me datën 3 korrik 2021, me agjencinë (emër i njohur për redaksinë), ka fluturuar nga Düsseldorf për në Prishtinë, në aeroport nga ora 16:00 deri në 18:05.
Gjatë fluturimit në aeroplan dyshohet se një femër, e cila ishte ulur afër karriges së tij i ka marrë para të gatshme në vlerë prej 1800 euro.
Kështu, Policia ka hetuar rastin dhe sot, më datë 11 korrik 2021, është ftuar të paraqitet në Stacionin Policor në Lipjan e dyshuara B.V. 24-vjeçare, e cila kishte udhëtuar nga Gjermania për në Kosovë.
E dyshuara me shtetësi gjermane është intervistuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë për “Vjedhje”.