Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar se ka dhënë pëlqimin e strehimit të afganëve në vendin tonë.
Osmani me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se ky pëlqim është nisur nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre.
“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, njofton Osmani, përcjell Telegrafi.
Ajo shton se qytetarët afganë do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA.
“Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj. Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”, shton ajo.
Po ashtu, sipas Qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e një muaj janë në komunikim me vendin tonë për mundësinë e strehimit të afganëve që kanë punuar me forcat e huaja e kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.
“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka thënë për Telegrafin, shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
Reuters kishte raportuar se Administrata amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Burimet i kanë thënë agjencisë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Washington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.
Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.
Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.
Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.
Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni