Luljeta Musliu, infermiere në QKUK përmes një shkrimi në Facebook ka treguar gjendjen me të cilën po përballen mjekët dhe pacientët si pasojë e CoVID-19.
Ajo ka thënë se prej sot e tutje, dasmat e ahengjet, organizohen në spitale në vend të restauranteve e diskotekave.
“Pa ftesa, hyrja pa pagesë për të gjithë ata që kanë fatin të kenë një vend. Në vend Labit, Afrimit e shumë këngëtarëve, ushton zëri i oksigjenoterapisë dhe monitorëve e aparaturave. Pa shpenzime për veshje të shtrenjta se ka qarqafë spitali. Për frizura dhe grim s’ka nevojë se flokët do katandisen nga djersët e pamundësia e pastrimit”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka shkruar se në vend të limuzinave e veturave, kujdesen autoambulancat me një sirenë, të cilave do t`ua lirojnë gjithë rrugën deri tek spitali, pa marrë parasysh kolonat e gjata.
“Shërbimin e keni pa pagesë nga stafi stërlodhur, i zhgënjyer dhe pushim të pashfrytëzuar. Mungesë stafi e shërbime të shumta. Pa vende pune, paga të ulëta e zgjedhje të shpeshta. Vaksina plot e shumica të pavaksinuar. Kolaps i vërtetë për të gjithë ata që e dinë. Zoti na ndihmoftë!!!”, përfundoi ajo.