Kreshnik Çollaku, kryetar i departamentit për politikë të jashtme në Partinë Demokratike në Shqipëri, ka thënë se Beogradi ka ndikim në Shqipëri dhe ky ndikim është rrezik dhe mallkim që zgjat prej dekadash.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka përmendur ndikimin e Beogradit në Tiranë ndër vite.
Ai ka thënë se këtij ndikimi i ka hapur derën sot Edi Rama dhe një ndikim i tillë rrezikon ta ndajë kombin.
Çollaku ka shtuar se ndikimi i Beogradit në Tiranë është kryeçështja e politikës së brendshme e të jashtme të Shqipërisë dhe është çështje e sigurisë kombëtare, ajo duhet ndjekur dhe hetuar si e tillë.
Postimi i tij i plotë:
Ndikimi i Beogradit në Tiranë, si rrezik dhe mallkim që zgjat prej dekadash.
Ndikimi i Beogradit në jetën e Shqipërisë politike është një ndër ndikimet që më shumë se asgjë tjetër ka tronditur dhe trondit zhvillimet e brendshme politike që prej 1941.
Ishte ndikimi i Beogradit që përcaktoi marrëdhëniet midis rezistencës antifashiste nacionaliste dhe komuniste.
Ishte ndikimi Beogradit që nuk lejoi luftën e përbashkët në një front kundër pushtuesve. Ishte ndikimi i Beogradit që transformoi rezistencën në një luftë civile për pushtet.
Pas luftës me fitoren e komunistëve ishte ndikimi i Beogradit që shkaktoi për një kohë të gjatë një luftë civile dhe brenda partisë komuniste.
Për shkak të ndikimit të Beogradit ngriheshin dhe binin njerëz brenda oborrit të pushtetit komunist.
Për shkak të ndikimit të Beogradit shpalleshin grupe armiqësore dhe likuidoheshin (ose vetëvriteshin) hierarkë komunistë të kohës.
Me rrëzimin e komunizmit dhe pas pluralizmit në Shqipëri ndikimi i Beogradit zbehet për disa vite.
Shqipëria politike tenton të veprojë jashtë ndikimit sllav.
Sot prej disa vitesh ndikimi i Beogradit paralel me rifuqizimin e rolit të Serbisë në kancelaritë fuqishëm rikthehet dhe në Tiranën politike.
Afrimi disproporcional i kryeministrit Rama me Beogradin sot i ka hapur derën fuqishëm këtij ndikimi.
Ndikimi i Beogradit në Tiranën politike sot po rikthehet.
Ndikimi i Beogradit sot përcakton apo ndihmon marrjen apo mbajtjen e pushtetit.
Ndikimi i Beogradit sot përcakton karrierat politike, publike dhe mediatike dhe fuqizimet ekonomike në Tiranë.
Ndikimi i Beogradit sot ka krijuar përçarjen më të thellë historikisht midis Tiranës dhe Prishtinës.
Ndikimi i Beogradit sot rrezikon të ndajë pa kthim aktorët politikë në Tiranë dhe të ndajë kombin.
Është ndikimi i Beogradit që sot vë në dilemë orientimin perëndimor të Tiranës zyrtare dhe josh drejt Lindjes.
Ndikimi i Beogradit në Tiranë është kryeçështja e politikës së brendshme e të jashtme të Shqipërisë.
Ndikimi i Beogradit në Tiranë është çështje e sigurisë kombëtare, ajo duhet ndjekur dhe hetuar si e tillë.