Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ambasadori amerikan në këtë shtet, John Sullivan, është thirrur në raportim për shkak të dyshimeve për ndërhyrje në zgjedhjet ruse nga gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Kjo ministri tha se Sullivan u takua të premten me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, me ç’rast u informua se Moska ka dëshmi për shkeljet e ligjit rus nga kompanitë amerikane të teknologjisë para zgjedhjeve që do të mbahen këtë muaj në Rusi.
“Gjatë bisedës, u theksua se pala ruse ka dëshmi të pakundërshtueshme të shkeljes së legjislacionit rus nga “gjigantët digjitalë” amerikanë në kontekstin e përgatitjes dhe mbajtjes së zgjedhjeve për Dumën Shtetërore të Asamblesë Federale të Federatës Ruse”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ku shtohet se një ndërhyrje e tillë është e papranueshme.
Agjencitë ruse të lajmeve, TASS dhe RIA, thanë se ambasadori amerikan shkoi në Ministrinë e Jashtme dhe u largua pas 20 minutave, pa komentuar se pse e bëri atë vizitë, shkruan Radio Free Europe.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme nuk u dhanë hollësi, por autoritetet ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, muajve të fundit vazhdimisht i kanë akuzuar kompanitë si Facebook, Twitter dhe WhatsApp për mosrespektim të ligjeve ruse rreth çështjeve si grumbullimi i të dhënave personale dhe fshirja e përmbajtjes që cilësohet si e paligjshme.
Në muajt e fundit, gjykatat ruse i kanë gjobitur kompanitë Google, Facebook, Twitter, WhatsApp, Telegram dhe TikTok me miliona rubla pikërisht nën këto akuza.
Shumë kritikë thonë se veprimet e autoriteteve ruse nuk kanë kurrfarë lidhjeje me integritetin e internetit dhe i kanë akuzuar autoritetet për përpjekje për ta shtypur pakënaqësinë e qytetarëve me zgjedhjet që do të mbahen nga 17 deri më 19 shtator dhe me pushtetin e partisë së Putinit, popullariteti i së cilës ka shënuar rënie.