Kryeministri Albin Kurti ka mohuar në gatishmërinë e qeverisë së tij për hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç shefi i qeverisë la të nënkuptohej në një deklarim të tij një ditë më parë.
Kurti, në një paraqitje për media në Tiranë, ka deklaruar se nuk ka thënë asnjëherë decidivisht se janë hapur arkivat e UÇK-së në një kundërpërgjigje ndaj pyetjes së një gazetareje në Tiranë.
“Kush ka thënë që janë hapur arkivat e UÇK-së! Ma gjej atë deklarim timin. Nuk kam thënë! Shtet më të mbikëqyrur se Kosova nuk ka. Njëherë kishim UNMIK-un, pastaj EULEX-in, pastaj edhe sot e kësaj dite e kemi KFOR-in. Vend ku duhet të hapen arkivat është Serbia”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për media të hënën ka përkrahur idenë që të hapen arkivat e UÇK-së. Teksa ka folur për këtë, Kurti tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit.
Ai ka insistuar se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë Iuftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i Iuftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve.
“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër Iuftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, tha Kurti.
Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.
“Pikënisja jonë si Qeveri nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje”, tha Kurti.