1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A duhet të vaksinohen personat që kanë antitrupa, flet infektologu Vishaj

Rekomandime

Deri më tani në Kosovë janë administruar mbi 1 milion vaksina, por ka ende qytetarë të cilët po hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19.

- Advertisement -

Madje, ditë më parë një grup i vogël i qytetarëve edhe kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë kundër vaksinimit të detyrueshëm, të cilët vendimin e Qeverisë për certifikatë të vaksinimit e dërguan në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre, është vendim jolegjitim dhe jokushtetues.

Arsyet e qytetarëve po janë të shumta dhe nga më të ndryshmet për mosvaksinim. Ka prej atyre që u besojnë teorive konspirative, duke menduar se vaksinimi të bën steril, kanë frikë nga efekte të ndryshme anësore, pastaj është edhe teoria e çipave.

Por, ka edhe nga ata qytetarë që po kanë dilema se a duhet të vaksinohen personat që e kanë kaluar COVID-in dhe kanë krijuar antitrupa natyrshëm.

- Advertisement -

Në lidhje me këtë, ka folur infektologu i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, i cili ka shpjeguar “fije për pe” se pse duhet marrë vaksinën edhe ata persona që kanë antitrupa.

Vishaj, që njëherësh është edhe drejtor në detyrë i kësaj klinike, ka thënë se të gjithë qytetarët, edhe ata që kanë krijuar antitrupa mjaftueshëm pas kalimit të virusit, por edhe ata që nuk kanë, duhet të vaksinohen kundër COVID-19.

- Advertisement -

“Po duhet [të vaksinohen] edhe pse kanë antitrupa të mjaftueshëm. Qytetarët duhet ta marrin vaksinën anti-COVID. Arsyeja është se në momentin kur ndodh infeksioni, zhvillohen antitrupa kundër gjinomit të virusit kurse vaksinimi zhvillon antitrupa kundër pikulave ose atyre gjembave të virusit”, tha ai për “Zërin”.

Sipas tij, antitrupat që i kemi krijuar natyrshëm pasi e kemi kaluar virusin e luftojnë virusin ndërsa antitrupat që ne i marrim nga vaksinimi nuk e lejojnë virusin të depërtojë në organizmin tonë.

Edhe Ministria e Shëndetësisë u rekomandon qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, patën apo nuk patën antitrupa të krijuar pas kalimit të COVID-19.

“Çështja e antitrupave është individuale, MSH-ja u rekomandon fuqishëm qytetarëve të vaksinohen, sepse edhe nëse e kanë kaluar COVID-19, vaksinimi veçse ua përforcon përgjigjen e tyre imunologjike”, kanë thënë nga Ministria.

Ndërkaq, se a paraqet vaksina ndonjë simptomë të lodhjes te personat që kanë antitrupa, Vishaj ka potencuar se çdo vaksinë që merret ka mundësinë që të ketë ndonjë efekt të lodhjes apo plogështisë.

“Çdo vaksinë që merret ka mundësinë për me pas njëfarë efekti në drejtim të lodhjes, plogështisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai thotë se efektet e lodhjes apo plogështisë nuk kanë asnjë ndikim në shëndetin e njeriut në raport me dobitë që sjell vaksina.

“Por këto efekte, siç është lodhja, plogështia nuk kanë asnjë impakt, asnjë ndikim në shëndetin të njerëzve në raport me dobitë dhe të mirat që sjell kjo vaksinë, dhe të gjitha vaksinat e reja që në vendin tonë, por edhe në botë përgjithësi, kanë qëllimin që të shpëtojnë nga forma shumë e rëndë [e sëmundjes], kurse disa aspekte apo simptoma anësore, janë pra të pakëndshme në kuptimin e plogështisë”, tha infektologu Vishaj.

I njëjti ka ftuar qytetarët që të mos hezitojnë për të marrë vaksinën anti-COVID.

“Ftoj qytetarët që të mos hezitojnë që të vaksinohen dhe të vaksinohen edhe ata që kanë antitrupa edhe ata që nuk kanë antitrupa, dhe të vaksinohen edhe ata që e kanë kaluar COVID-in dhe ata që nuk e kanë kaluar atë. Vaksinimi është forma e vetme, forma e duhur dhe i shmang situatat në të cilën jemi tash”, ka deklaruar Vishaj për “Zërin”.

“Zëri” ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se a u kërkohet testi anti-COVID personave që shkojnë për t’u vaksinuar në qendrat e vaksinimit.

Nga MSH-ja kanë mohuar se u kërkohet ky test, mirëpo kanë këshilluar ata persona që kanë shenja të infeksionit ta shtyjnë terminin për një kohë.

“Personave që shkojnë në qendra të vaksinimit nuk u kërkohet testi, por rekomandohet që ata që kanë shenja të infeksionit ose që janë duke përdorur terapi, ta shtyjnë për një kohë shkuarjen për ta marrë vaksinën, derisa të jenë të sigurt për statusin e tyre shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Kujtojmë se Kosova deri më tani është bazuar vetëm në dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, që të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Medicinës (EMA) dhe nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Aktualisht në stok ka doza të mjaftueshme të këtyre dy llojeve të vaksinave.

Kosova ka përfituar mbi gjysmë milioni doza “Pfizer” nga SHBA-ja. Po ashtu, vaksina të të dyja llojeve, Kosova ka pranuar edhe nga shtete tjera si dhe përmes programit COVAX.

Ndërkaq, doza “Pfizer” vendi ka siguruar edhe nga kontrata me këtë prodhues, ku vetëm të martën e kësaj jave kanë arritur mbi 53 mijë sosh.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit