KFOR-i ka njoftuar se ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori, Franco Federici, ka njoftuar se masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim shtensionimin e shpejt të situatës.
“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Federici.
KFOR-i përgjatë ditës ka bërë të ditur se e ka rrirtur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.
“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, u tha në një deklaratë të tyre gjatë ditës.