Ka lindur fëmija i parë afgan në Shqipëri, përkatësisht në spitalin e Lezhës. Ai është sjellë në jetë nga një 27-vjeçare, e cila e kishte lindjen e gjashtë, ndërkohë që gjendja e të dyve është e mirë.
Mësohet se prindërit kanë vendosur ta quajnë fëmijën me emër shqiptar dhe një nga më të preferuarit është Alban.
Mjeku Nikoll Brozi shprehet për Fax News se djali ka lindur në gjendje shumë të mirë, ndërkohë që në spital kanë mbërritur dhe të tjera gra afgane, të cilat janë në pritje të fëmijëve të tyre.
Ai thotë se një pjesë e tyre kanë shfaqur probleme të zakonshme të shtatzënisë, ndërkohë që familja afgane nuk pranon të flasë, për shkak të frikës mbi sigurinë e tyre.
Prej disa javësh në Shëngjin, te Shkëmbi i Kavajës dhe në Tiranë janë akomoduar qindra afganë që janë larguar nga shteti i tyre për shkak të marrjes së kontrollit nga talebanët dhe mbahen në Shqipëri kryesisht në sajë të ndihmave të marra nga organizata joqeveritare.