Policia e Kosovës ka dalë me njoftim për media pas përfundimit të aksionit kundër kontrabandës, në katër rajone të vendit. Nga ky aksion janë prangosur tetë persona, derisa 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
“Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, njofton tutje policia.
Njoftimi i plotë i policisë:
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe krminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bmba, të shtëna me a.rmë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.
Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të ar.mëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona;
R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës,
A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës,
M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri,
I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri,
M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri,
Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.
Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë.