Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë dy arsyet që sipas tij Gjilani ka shkuar në balotazh dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, nuk ka fituar në raundin e parë, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se një kanë qenë sondazhet e porositura që e kanë projektuar Hazirin fitues pa balotazh dhe e dyta ka qenë votat nga qytetarët serbë në Gjilan, që Bislimi thotë se Haziri i ka blerë nga Lista Serbe apo janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit.
“Në Gjilan gara është dashur të përfundohet më 17 tetor, sikur të mos kishin qenë dy elemente. Kryetari aktual i Gjilanit e ka ditur shumë mirë se si do të përfundojë rezultati më 17 tetor dhe ka shkuar deri në instrumente që askush nga qytetarët e Gjilanit nuk ka besuar se do të shkonte ai. I dini këto vota që i ka blerë nga Lista Serbe. Është edhe më keq nëse nuk i ka blerë ato e i janë dhënë falas. I bie se janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit”, ka thënë Bislimi.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, Hyseni ka marrë 44.43 për qind të votave, ndërsa Haziri ka dalë i dyti me 43.81 për qind.