Ish-këshilltari i lartë i qeverisë amerikane për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, Richard Grenell, ka publikuar një shkrim me të cilin e akuzon sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për ndërhyrje në politikën e zgjedhjeve në Shqipëri, më saktësisht me vendosjen e sanksioneve për udhëtime kundër ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
“Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, përballet me gjykatën ndërkombëtare, pas ndërhyrjes në politikën shqiptare”, fillon shkrimi autorial i ish-zyrtarit të lartë amerikan në administratën e ish-presidentit Donald Trump.
“Për ata që nuk janë të njoftuar me politikën ballkanike, Berisha është njeri me të kaluar dinamike, kundërshtar i palëkundur i komunizmit, themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe mik i Amerikës”, shkruan më tej ish-amabasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan Gazeta Express.
“Sekretari Blinken e shokoi rajonin në maj duke njoftuar për sanksionet , siç duket të pabaza, të udhëtimeve kundër z.Berisha dhe familjes së tij të ngushtë, duke ua ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Blinkeni u paraqit në Twitter për ta akuzuar z.Berisha për “akte korruptive” dhe “minim të demokracisë në Shqipëri”, thuhet në shkrimin e Grenellit.
“Berisha i ka goditur veprimet e Departamentit të Shtetit duke i cilësuar si vepër e miliarderit të së majtës radikale, George Soros dhe organizatës së tij “Open Society”, organizatë që pretendon se i promovon transparencën dhe të drejtat e njeriut në Ballkan”, shkruan Grenelli.
Ai më tej pretendon se pretendimet e ish-kryeministrit shqiptar nuk duhet të hidhen poshtë, duke thënë se prindërit e kryediplomatit amerikan, Vera dhe Donald Blinken, vazhdimisht kanë dhënë donacione për organizatën e Sorosit, “Opean Society” (“Shoqëria e Hapur”).
“Tash për tash, dëshmia e vetme që e dimë është kundërshtimi i palëkundur i z.Berisha ndaj ndërhyrjes politike të Sorosit, të cilën Berisha e ka cilësuar si anashkalim të sundimit të ligjit dhe ndikim joformal në tërë rajonin e Ballkanit. Vetë z.Berisha më 2017 bëri thirrje ndaj qeverive të mëdha që ta hetojnë rolin e Sorosit në politikat rajonale dhe shkoi aq larg, sa i inkurajoi të tjetër që ta shpallin Sorosin “non-grata”, shkruan ish-zyrtari i lartë amerikan.
Grenelli thotë se Blinkeni tani përballet me një sfidë të re ndaj autoritetit të tij në formën e gjykatave ndërkombëtare. “Javën e kaluar, Tribunali Korrektues i Parisit njoftoi se do ta dëgjojë Berishën dhe pretendimin e tij se Blinkeni e ka diskredituar reputacionin e tij duke e shpallur person non-grata.
“Shtetet e Bashkuara janë dhe gjithmonë do të jenë komb i qeverisur nga ligji dhe arsyeja dhe këto sanksione, dëshmia e munguar, shërbejnë vetëm për ta minuar kredibilitetin e ShBA-së”, shkruhet më tej në shkrimin e Grenellit.
“Është koha që Kongresi t’i kërkojë dëshmitë rreth sanksioneve shqiptare për të cilat Blinkeni na ka thënë se i ka. Unë personalisht nuk i kam parë kurrë dhe kam qenë i përqendruar në çështjet ballkanike si ushtrues detyre i drejtorit për Inteligjencë Kombëtare”, thuhet në fund të shkrimit autorial të Grenellit.