Në emisionin “Kojshia Show”, këtë javë mysafir ishte komandanti i Koshares, Rrustem Berisha, i cili ishte edhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Haradinaj.
Berisha në krye të Brigadës 138 ishte emëruar nga Ahmet Krasniqi në atë kohë që ishte në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes se Republikës së Kosovës.
Ai thotë se vrasja e Ahmet Krasniqit është përjetuar shumë rëndë nga bashkëpunëtorët.
“E kam njohur Ahmeti Krasniqin qysh nga Kroacia. Ai ka pasur shkollën e kryer dhe trajnime të luftës të nivelit më të lartë. Ai ka çliruar edhe disa kazerma në Kroaci dhe ua ka dorëzuar kroatëve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-komandanti i Koshares thotë se vrasja e Ahmet Krasniqit dëmtoi shumë luftën.
“Vrasja e tij na ka tronditur të gjithëve. Ahmet Krasniqi u ka penguar shumëkujt. Unë nuk e di arsyen, por e di që të gjithë kemi qenë të rrezikuar pasi kemi qenë në luftë. Njerëzit e fushave të caktuara duhet ta japin vlerësimin e tyre për këtë vrasje. Vrasja e tij e ka dëmtuar shumë luftën tonë. Vrasja e tij ishte humbje e madhe pasi të ngritesh një ushtarak në nivelin e Ahmet Krasniqit kërkon shumë mund dhe fonde”, tha ndër të tjera Rrustem Berisha.