9.1 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Ish shefi i NATO-s: Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pikë kyçe për Ballkanin

Rekomandime

Ish-Sekretari Përgjithshëm në detyrë i NATO-s, Alessandro Minuto-Rizzo, ka vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është kyçe për Ballkanin. Sipas tij, pika e nisjes për të arritur normalitetin në rajon është njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe njohja e pakicave serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, Minuto-Rizzo ka thënë se ngjarjet e fundit, ato të tensioneve në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targa, kanë dhënë sinjal se marrëdhënia mes Kosovës e Serbisë është larg të qenit normale.

- Advertisement -

“Nga ana tjetër, arritja e këtij normaliteti është prioritet. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet euroatlantike dhe vendet mike të përfshihen më shumë në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve. Pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe; ata duhet të konsiderohen qytetarë të plotë, me mbrojtje të plotë. Nëse dy akterët kryesorë qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, një përparim serioz mbetet i vështirë”, ka thënë ai.

Minuto-Rizzo ka thënë se destinacioni përfundimtar i Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian. Sipas tij, është normale që s’ka data të caktuara për integrim.

Për rolin e Italisë në rajon, ai ka thënë se ka qenë vazhdimisht mbështetës.

- Advertisement -

Sa i përket ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Minuto-Rizzo ka thënë se ndryshimi ka qenë zhvillim i mirë.

“Ne shohim një interes të ripërtërirë ndaj rajonit, për të projektuar stabilitet, për të lehtësuar përfshirjen dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura. Në këtë kuptim, është e saktë të thuhet se Shtetet e Bashkuara janë aleate me BE-në, pasi të dyja po ndjekin të njëjtin drejtim. Nga ana tjetër, mbetet gjithashtu e qartë se problemet e vjetra nuk mund të zgjidhen me një shkop magjik. Është detyrë e vendeve të rajonit që të marrin përgjegjësitë e tyre për të luajtur një rol pozitiv për të zbutur tensionet dhe për të punuar seriozisht drejt bashkëpunimit rajonal. Nëse akterët lokalë nuk janë të gatshëm të tregojnë më shumë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromise të mira, do të jetë e vështirë për lojtarët e jashtëm të kenë një ndikim real”, ka deklaruar ai.

- Advertisement -

Për emërimin e ambasadorit amerikan Christopher Hill në Serbi, pas përvojës së tij të gjatë në rajon, ish-Sekretari i NATO-s ka thënë se s’ka asnjë arsye për të dyshuar se ai do të përdorë aftësitë e tij në dobi të sigurisë dhe përfshirjes.

“Sa i përket çështjes specifike të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pamundur të parashikohet rezultati i tyre i ardhshëm. Mbështetje do të ketë, por përsëri dëshiroj të theksoj se akterët lokalë duhet të vazhdojnë në procesin e tyre të reformave dhe gjithashtu duhet të jenë në gjendje të modifikojnë pozicionet e vendosura, nëse vërtet dëshirojnë të sigurojnë një lojë përfundimtare pozitive, për një perspektivë afatgjate dhe të dobishme për të gjithë”, ka përfunduar ai.

Alessandro Minuto-Rizzo është një diplomat italian i cili shërbeu si Zëvendës-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 2001 deri në 2007 dhe si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nga 17 dhjetori 2003 deri më 1 janar 2004, në mes të mandateve të George Robertson dhe Jaap de Hoop Scheffer. Aktualisht është President i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit