2.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Serbia hidhërohet me Shqipërinë që kërkoi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Rekomandime

Nuk është mandati i UNESCO-s që të marrë vendime politike për shtetësinë, tha ambasadorja e Serbisë në UNESCO, Tamara Rastovac Siamashvili.

Kjo deklaratë erdhi gjatë debatit të sesionit të 41-të të Konferencës së Përgjithshme të kësaj organizate, ku Rastovac ka reaguar ndaj fjalimit të ministres së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila në prezantimin e saj kërkoi me ngulm anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

- Advertisement -

Ajo tha se një nga parakushtet kyçe për zbatimin e qetë të mandatit të UNESCO-s është depolitizimi i punës së saj.

Sipas saj, është jashtëzakonisht shqetësuese se në debat u dëgjuan thirrje për politizim dhe abuzim të UNESCO-s “si një instrument për afirmimin e pavarësisë së paligjshme të shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Rezolutën 1244 ligjërisht të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Dëshiroj t’ju rikujtoj se sipas asaj Rezolute Kosova dhe Metohia është pjesë integrale e Serbisë, e cila është shtet anëtar i OKB-së dhe i UNESCO-s dhe se është nën administrimin e përkohshëm të OKB-së. Gjithashtu, Kosova dhe Metohia është vendi më i rëndësishëm shpirtërisht dhe kulturor për popullin dhe shtetin serb”, tha ambasadorja e Serbisë.

- Advertisement -

Ajo që duhet në UNESCO, siç shtoi ajo, është më shumë unitet dhe jo më vija ndarëse dhe krijim të precedentëve shumë të rrezikshëm. Ajo po ashtu deklaroi se “në rastin e të ashtuquajturës Kosovë, mungesa e besueshmërisë morale dhe përkushtimit të sinqertë ndaj parimeve të UNESCO-s është më se evidente”.

“Anëtarësimi në UNESCO, një simbol i vërtetë i përpjekjeve të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur trashëgiminë kulturore botërore, është sigurisht i papajtueshëm me shkatërrimin e qëllimshëm dhe sistematik të trashëgimisë serbe në provincë me qëllimin perfid për të hequr gjurmët e prezencës shekullore serbe në këtë zonë. Pikërisht për këtë arsye katër manastire të Kishës Ortodokse Serbe në krahinën tonë janë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rrezik”, tha Tamara Rastovac Siamashvili.

- Advertisement -

Ajo tha se Serbia e konsideron të papranueshëm fjalimin e ministres shqiptare “me konstatime të shumta për një pjesë të territorit të Serbisë, lidershipi i të cilit shtet është i angazhuar sinqerisht dhe aktivisht në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit në rajon”.

“Ne i bëjmë thirrje Shqipërisë që të inkurajojë Prishtinën që të marrë pjesë në dialogun e sponsorizuar nga BE, si i vetmi format adekuat për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet. Është obligim i të gjithë anëtarëve të OKB-së që të përmbahen nga ndërhyrja në punët e brendshme të anëtarëve tjerë të OKB-së. Kjo e detyron edhe Shqipërinë”, deklaroi shefja e misionit serb në UNESCO.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit