11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Operacioni i la pasoja të rënda në trup, pacienti kërkon 12 mijë euro kompensim nga Spitali Amerikan në Prishtinë

Rekomandime

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku paditësi i kundërpaditur Adem Grapci po kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 12 mijë euro nga Spitali Amerikan në Kosovë.

Fillimisht në seancën e së mërkurës gjykatësja Rezarta Sylejmani Voca ka lejuar paraqitjen e kundërpadisë nga i Spitali Amerikan tani më kundërpaditës.

- Advertisement -

Po ashtu ajo ka lejuar edhe precizimin e kërkesëpadisë në kuptim të lartësisë së saj e parashtruar nga i autorizuari i paditësit tani më i kundërpadituri Grapci, avokatit Haxhë Nikçi më 5 dhjetor 2021, ku ka kërkuar 12 mijë euro e ndërsa në padi kishte kërkuar 20 mijë euro.

Pas kësaj gjykatësja Sylejmani Voca ka bërë administrimi i provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare i autorizuari i paditësit tani i kundërpadituri Grapci, avokati Nikçi tha se gjatë procedurës, në veçanti duke u bazuar në provat materiale dhe në bazë të ekspertizës së dhënë nga eksperti i kirurgjisë së përgjithshme dhe asaj abdominale, Skender Zatriqi si dhe mendimit të ekspertes nga psikiatria Nazmie Musliu është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë.

- Advertisement -

Sipas avokatit Nikçi, ekspertët e në veçanti eksperti Zatriqi nga fusha abdominale ka vërtetuar se me rastin e ndërhyrjes në prostatë është dashur që në këmbën e paditësit të vendoset pllaka e kauterit-elektroda me qëllim të mbarëvajtjes së operacionit si dhe ndaljes së gjakut.

Më tutje ai tha se nga deklarimet e ekspertit Zatriqi është vërtetuar se djegia është shkaktuar si rezultat i defekteve teknike të aparaturës që do të thotë se është vërtetuar se ekziston lidhja kauzale në mes të shkakut dhe pasojës.

- Advertisement -

Sipas të njëjtit e drejta e paditësit Grapci, për parashtrimin e padisë për kompensimin e dëmit konsiston ne nenin 136, paragrafi 1, të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve si dhe shkaktimi i plagës është si shkak i lëshimeve të bëra nga Spitali Amerikan.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së paditur kundërpaditëse, avokati Virtyt Ibrahimaga ka thënë se lidhur me pretendimet e paditësit të kundëpaditur Grapci për shkaktimin e dëmit material i njëjti nuk ka paraqitur asnjë provë për vërtetimin e këtyre pretendimeve.

Sa i përket ekspertizës së bërë nga eksperti Zatriqi, i njëjti ka thënë se ai i ka shtjelluar dëmet të cilat i ka bazuar vetëm në fotografi të ofruara nga paditësi si dhe në përcaktimin e dëmeve materiale duke shtuar se i njëjti nuk i është referuar asnjë literature mbi të cilën e ka bazuar ekspertizën.

Më tutje ai tha se eksperti sa i përket lëshime vetëm ka supozuar dhe nuk ka konfirmuar se dëmi është shkaktuar nga mosfunksionimi i pajisjes së Spitalit Amerikan ku sipas tij, në këtë rast nuk është konstatuar ekzistimi i fajësisë së të njëjtës.

Ndërsa sa i përket ekspertes Musliu, avokati Ibrahimaga tha se e njëjta i ka vërtetuar vuajtjet psikike të Grapcit vetëm mbi bazën e deklarimeve të tij, ku sipas tij, kjo ekspertizë është bazuar vetëm në këndvështrimin subjektiv të ekspertes.

Ndryshe në padinë e ushtruar më 8 tetor 2014, paditësi Grapci i është nënshtruar operacionit nga prostatat ne Departamentin e Urologjisë tek i padituri, ku i njëjti ia ka paguar të paditurit shumën prej 2 mijë e 200 euro për ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve përkatëse si dhe operimit.

Tutje, në padi thuhet se gjatë operacionit në regjionin popliteal dexter, gjegjësisht në pjesën e djathtë të kofshës, përmbi gju të këmbës së djathtë është formuar një plagë si pasoj e djegies së manifestuar nga operacioni, djegie kjo e cila është e shkallës së katërt dhe e cila edhe pas tretmanit dhe kontrollimeve të rregullta mjekësore në kohëzgjatje prej gjashtë muajve nuk është sanuar tërësisht deri tani vonë.

Sipas padisë, paditësi Grapci ka përjetuar humbje të vazhdueshme të të gjitha llojeve të intensitetit nga plaga e shkaktuar si dhe tek i njëjti është manifestuar zvogëlimi i aktivitetit të përgjithshëm jetësor, shëmtim për shkak të prezencës së mëtutjeshme të plagës dhe frikë.

Në padi thuhet se paditësi Grapci i është drejtuar personalisht të paditurit me qëllim të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga pllaka e kauterit gjatë ndërmarrjes kirurgjikale, mirëpo i padituri ia ka ofruar një shumë tejet simbolike e cila nuk është ekuivalente me natyrën e lëndimit dhe dëmit të shkaktuar.

Mbi këtë bazë, paditësi Grapci po kërkon nga gjykata që të detyrojë të paditurin, Spitalin Amerikan në Kosovë që në emër të dëmit jo material të shkaktuar me rastin e operimit t’ia paguaj shumën prej 17 mijë euro, të detyrojë të paditurën që në emër të shpenzimeve materiale në Spitalin Amerikan t’ia paguaj shumën prej 3 mijë euro si dhe t’i kompensojë shpenzimet kontestimore.

Mirëpo, më 7 korrik 2015, e paditura ka ushtruar kundërpadi ku thuhet se i padituri përmes përgjigjes në padi ka vërtetuar se dëmi i pësuar nga i padituri kundërpaditës është rezultat i rrezikut të operacionit të cilit Grapci pranoi t’i nënshtrohet.

Tutje në kundërpadi thuhet se i padituri kundërpaditësi, Spitali Amerikan vërtetoi se nuk kishte asnjë detyrim kontraktor për të mjekuar Grapcin përtej asaj që palët ishin marrë veshë në marrëveshjen përkatëse, ku pavarësisht mungesës së detyrimit, Spitali Amerikan e mjekoi pa pagesë atë dhe ky gjest ishte një gjest bamirës.

Sipas kundërpadisë thuhet se paditësi i kundërpadituri Grapci e ka interpretuar sjelljen e Spitalit Amerikan si një pohim fajësie lidhur me djegien e pësuar, edhe pse i padituri nuk ka pasur faj tani paditësi e kishte paditur atë.

Mbi këtë bazë, i padituri kundërpaditës, Spitali Amerikan në Kosovë me kundërpadi po kërkon që të detyrohet paditësi i kundërpaditur Grapci që atij t’ia kompensoj shumën prej 1000 euro si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa në përgjigjen në padi të dhënë më 7 korrik 2015, e paditura e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditësi Grapci si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Më tutje në përgjigje në padi thuhet se mungon elementi i fajit për angazhimin e përgjegjësisë së palës si dhe elementi shkak-pasojë ndërmjet veprimeve të palës së paditur dhe dëmit të pësuar nga paditësi.

Sipas përgjigjes në padi, paditësi ka marrë përsipër rreziqet e lidhura me operacionin me vetëdije të plotë.

Mbi këtë bazë i padituri Spitali Amerikan në Kosovë ka kërkuar nga gjykata që kundërpadia të pranohet si e bazuar dhe të detyrohet paditësi i kundërpadituri që atij t’ia paguaj shumën prej 1000 euro për shkak të keqpërdorimit të së drejtës për të ushtruar padi si dhe shpenzimet procedurale.

Pas ushtrimit të kundërpadisë nga Spitali Amerikan paditësi Grapci ka bërë përgjigje në kundërpadi më 13 tetor 2020, duke konsideruar se pretendimet nga kundërpadia janë të pasakta dhe nuk përkojnë me gjendjen reale dhe faktike, sipas kësaj çështjeje juridike duke kërkuar nga gjykata që ta refuzojë këtë kundërpadi si të pabazuar. /BetimipërDrejtësi

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit