Shoqata e malazezëve të Kosovës ka reaguar pasi që SHBA-të e futën në listën e zezë Milan Radojçiqin, së bashku me një grup kriminal, duke i kërkuar presidentit të Serbisë, që ta detyrojë atë të jap dorëheqje nga detyra e nënkryetarit të Listës serbe. Në një komunikatë të kësaj shoqate thuhet se Vuçiqi është themelues i Listës serbe, dhe krijues i karakterit krimlnal të Radojçiqit.
Kjo shoqatë pret që institucionet e Kosovës, Radojçiqin dhe të tjerët, përfshirë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Labanin t’i nxjerrin para drejtësisë.
“I bëjmë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si themelues i Listës Serbe, por edhe krijues dhe përkrahës i karakterit dhe veprës së nënkryetarit të saj, Milan Radoiçiqit, ta urdhërojë që të dorëhiqet menjëherë nga të gjitha pozitat dhe anëtarësimi në të. Ne e kërkojmë këtë sepse Radoiçiq është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional.
Nëse Vuçiq nuk e bën këtë menjëherë, Lista Serbe do të justifikojë epitetin e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale të organizuara në Ballkanin Perëndimor, i cili është nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Me atë rast presim që institucionet kompetente të Kosovës ta ndalojnë përgjithmonë punën e Listës Serbe, ta nxjerrin para drejtësisë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, në mesin e të cilëve pa dyshim është edhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, i cili është tashmë në listën e të kërkuarve të Interpolit”.
Me respekt
Kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës
Slobodan M. Vujiçiq