3.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Ish-zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea: Kosova duhet të anëtarësohet në NATO

Rekomandime

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea në një intervistë për Gazetën Express thotë se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe pavarësisht përpjekjeve të Moskës, Rusia s’do të mund asnjëherë të përcaktojë se cilin shtet vendosë ta pranojë si anëtar të ri Aleanca Veri-Atlantike. Ai ka folur për angazhimin e shtuar të Britanisë në Ballkan, konkretisht emërimin e ushtarakut Peach si Emisar Special dhe takimin e 6 ministrave të Jashtëm në Londër me Sekretaren e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-zëdhënësi i Aleancës më të fuqishme ushtarake tha se është momenti i fundit që faktori ndërkombëtar ta vendosë Ballkanin Perëndimor në krye të agjendës politike dhe të zbatojë trysni diplomatike ndaj atyre që provojnë të cenojnë marrëveshjet e arritura.

- Advertisement -

Britaniku që udhëhoqi konferencat e NATO-s gjatë bombardimeve 78 ditëshe të Ish-Jugosllavisë me 1999, u shpreh i inkurajuar me lëvizjet e fundit të Mbretërisë së Bashkuar sa i përket emërimit të ushtarakut Stuart Peach si Emisar Special i kryeministrit Boris Johnson për Ballkanin dhe takimin e Sekretares së Jashtme Truss të hënën me 6 kryediplomatët e Kosovës, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut

Gazeta Express: Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe Liz Truss pas takimit me 6 ministrat e Ballkanit Perëndimor deklaroi se takimi vjen pasi tensionet në rajon kanë arritur kulmin. Si i komentoni deklaratat e Sekretares së Jashtme Truss pas takimit me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor?

Jamie Shea: U inkurajova që sekretarja e Jashtme, Liz Truss, organizoi një takim me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në Londër menjëherë pas G7-ës në Liverpul. Është mirë që, pas Brexit-it, Mbretëria e Bashkuar jo vetëm që po e kthen vëmendjen e vet tek Indo-Paqësori ose ShBA-ja, por gjithashtu po vazhdon të luajë rol aktiv në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Ky është një rajon ku Mbretëria e Bashkuar ka bërë një kontribut aq të madh në 30 vitet e fundit me emra si Tony Blair, Robin Cook, Lord George Robertson, Lord Paddy Ashdoën dhe Gjenerali Mike Jackson, në mënyrë të pakthyeshme të lidhur me kauzën e të drejtave të njeriut dhe ndërtimit të kombeve në Bosnjë, Kosovë e Maqedoni Veriore. Prandaj, do të ishte gabim për Britaninë që të mos i shfrytëzojë si bazë rrjetet e ndikimit dhe njohuritë e thella të rajonit që i ka fituar.

- Advertisement -

Takimi i Londrës ishte gjithashtu në kohën e duhur dhe i nevojshëm për shkak të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar, njësoj si BE-ja e ShBA-ja, është thellësisht e shqetësuar nga lëvizjet e fundit të Milorad Dodikut për ta tërhequr Republikën Serbe nga institucionet e përbashkëta të Bosnjës e Hercegovinës dhe nga mungesa e vullnetit të Serbisë për t’i adresuar çështjet rreth mizorive të luftës që kanë rezultuar nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Ekziston faktori i trysnisë së shtuar të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj, ky është vërtet momenti që komuniteti ndërkombëtar ta vendosë Ballkanin Perëndimor në krye të agjendës politike dhe të zbatojë trysni diplomatike për t’i kundërshtuar ata që po përpiqen që të shkëpusin marrëveshje, ta mohojnë realitetin historik dhe të mbjellin përçarje. Në këtë aspekt, ishte e dobishme që Liz Truss e shfaqi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’u koordinuar ngushtë me BE-në dhe ShBA-në duke i ftuar përfaqësuesit e tyre të posaçëm për Ballkanin, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, në takim në Londër.

Përsëri, nuk mjafton që vetëm të menaxhohen krizat. Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe ShBA-ja duhet t’i ofrojnë rajonit një vizion pozitiv e të besueshëm të së ardhmes; bisedime të vërteta e më të shpejta për anëtarësim në BE, investime, qasje në tregje e liberalizim të vizave. Ata që duan të bëhen evropianë duhet të kenë mundësi për të jetuar dhe vepruar si evropianë. Për fat të mirë, Liz Truss dhe kolegët e saj nga BE-ja e ShBA-ja duket se e njohën nevojën për këtë strategji më afatgjate në takimin e Londrës.

- Advertisement -

Gazeta Express: A e shihni kthimin e Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor si një hap të rëndësishëm dhe si e vlerësoni emërimin e Sir Stuart Peach si të Dërguar Special për Ballkanin?

Jamie Shea: Nominimi i komandantit ajror, Stuart Peach, si përfaqësues i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar është zgjedhje e frymëzuar. Kjo e dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar duke pasur dikë që mund të punojë krahas me përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe ShBA-së përditë, duke çimentuar një front të përbashkët të fuqive transatlantike. Stuart Peach sapo ka plotësuar katër vjet si shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s, posti më i lartë ushtarak i aleancës. Prandaj, ai është një ushtarak që është i mësuar mirë me ndërveprimin me diplomatë. Ai gjithashtu e njeh mirë Ballkanin Perëndimor, pasi i ka mbikëqyrur misionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë dhe integrimin e Malit të Zi e Maqedonisë Veriore në strukturat ushtarake të NATO-s. Ai gjithashtu ka qenë aktiv në zhvillimin e bashkëpunimeve të aleancës me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë ushtrimet ushtarake dhe bashkëpunimin për sfidat e sigurisë me Serbinë. Prandaj, unë pres që Stuart Peach “ta godasë tokën duke vrapuar” dhe të jetë bashkëbisedues efektiv, pa gjëra të palogjikshme dhe i orientuar nga rezultatet.

Gazeta Express: Si i keni parë këto tre vite të rrugës së transformit të FSK-së drejt ushtrisë dhe përparimin e saj?

Jamie Shea: Forcat e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj, jo vetëm në aspektin e trajnimit dhe pajisjeve, por edhe duke ua zgjatur dorën komuniteteve pakicë dhe popullsisë së gjinisë femërore. Ato kanë një rol jetik për ta luajtur si integruese të grupeve të ndryshme sociale e etnike në Kosovë në mënyra që e rritin kohezionin social dhe e promovojnë barazinë e mundësive për të gjithë. Gjëja kyçe tani është që ushtria e Kosovës të marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare për ruajtje të paqes, trajnime dhe stabilizim në mënyrë që të fitojë përvojë dhe ta rrisë ndërveprueshmërinë me NATO-n. Të shpresojmë që më shumë shtete të NATO-s e BE-së, që e njohin Kosovën e pavarur, do të bëjnë shtytje për këtë dhe do t’i inkorporojnë njësitë e Kosovës në kontingjentet e tyre kombëtare. Ushtria e Kosovës është një storie suksesi për Kosovën, sidomos si model social dhe si instrument për t’u marrë me sfidat e brendshme (si pandemia ose ngjarjet e motit ekstrem) dhe Prishtina duhet të bëjë më shumë për ta promovuar këtë storie suksesi në botën e jashtme.

Gazeta Express: A mendoni se është momenti i fundit që Kosova të anëtarësohet në NATO duke pasur parasysh tensionet dhe ndikimin rus në rajon?

Jamie Shea: Rusia kurrë nuk ka pasur dhe kurrë nuk do të ketë veto për vendimet e NATO-s për mirëpritjen e anëtarëve të rinj në radhët e saj. Rusia është përpjekur fort për ta ndalur pranimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë në aleancë duke organizuar fushata propaganduese dhe duke ndërhyrë në politikat e brendshme të të dyja vendeve. Në Mal të Zi, Moska madje është akuzuar për përpjekje për të organizuar puç. Por këto përpjekje për ndërhyrje dështuan në mënyrë të mjerë dhe sot, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia Veriore ulen në tavolinën e NATO-s. Unë jam përkrahës i vendosur i anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe këshilla më e mirë që do të mund t’ua jepja miqve e kolegëve të mi në Prishtinë është që të përqendrohen në reformat e brendshme dhe për ta bërë Kosovën kandidate tërheqëse. Kosovarët duhet të kenë besim në NATO-n dhe nuk duhet të hutohen nga përhapja e frikës dhe teoritë konspirative të atyre që nuk i kanë në zemër interesat e Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit