10.1 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Cilët ishin spiunët rusë në NATO?

Rekomandime

Një nënkolonel i lidhur më Kremlin-in zyrtar, një ‘gjuetar spiunësh’ dhe një specialist i të dhënave – identitetet e tetë rusëve të dëbuar së fundmi nga NATO-ja tregojnë se pse Moska reagoi kaq ashpër dhe çfarë po bënin operativët e saj aty.

Tetë personat që Rusia tha se ishin “diplomatë” në përfaqësinë e saj në selinë e NATO-s në Bruksel, në fakt ishin “oficerë të padeklaruar të inteligjencës” që kryenin “aktivitete që nuk ishin në përputhje me akreditimin e tyre”.

- Advertisement -

Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa njoftoi dëbimet tetorin e kaluar.

NATO-ja kurrë nuk i emëroi ata publikisht, që do të thotë se ata mund të shkonin në heshtje në shtëpi dhe të depërtoheshin në vende të tjera, jashtë NATO-s, nën mbulimin diplomatik.

Por Rusia vendosi të largojë të gjithë përfaqësinë e saj në NATO. Ky reagim u pa si një përpjekje për të nënçmuar aleancën perëndimore.

- Advertisement -

Lidhjet e nivelit të lartë të disa prej atyre të cilëve Stoltenberg përmendi, treguan se zemërimi i Kremlinit mund të kishte pasur një “dell personal”.

Ata treguan rëndësinë e shtabit të NATO-s si një objektiv në sytë e Rusisë.

- Advertisement -

Dhe CV-të e tyre hedhin dritë mbi llojin e njerëzve që shërbimet ruse të spiunazhit po dërgonin në Belgjikë, ku synoheshin institucionet e BE-së dhe ato belge.

Cilët ishin spiunët?

Tetë “diplomat-spiunët” rusë ishin Sergei Chesnokov, Oleg Demekhin, Vasily Epishkin, Dmitry Filippenok, Igor Kovalev, Nadezhda Obukhova, Alexander Smushko dhe Stanislav Telegin.

Smushko, i cili është me origjinë estoneze, fillimisht ishte diplomuar në fakultetin e gjuhëve të huaja dhe më pas në Universitetit Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes (VUMO) në Moskë, duke u bërë nënkolonel dhe zëvendës shef i departamentit të VUMO-s.

Fill pas kësaj ai u bashkua me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU).

Dhe, përpara se të vinte në Bruksel, Smushko kishte punuar si përkthyes personal për ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, shefin e forcave të armatosura ruse, Valery Gerasimov, dhe ish-ministrin rus të mbrojtjes, Anatoly Serdyukov.

Vetë Smushko u shpreh për marrëdhënien e tij të ngushtë me Shoigun në një intervistë me Zvezda-n, një stacion televiziv rus, në 2015-ën.

“Në këtë lloj pune, mirëkuptimi i ndërsjellë është gjëja më e rëndësishme”, tha Smushko.

Duke u bërë akoma më personale, gruaja e Smushkos, Nina, u largua nga Belgjika së bashku me të shoqin.

E ndërsa ajo nuk punonte zyrtarisht si diplomate në Bruksel dhe nuk u dëbua zyrtarisht, edhe profili i saj u kthye në shkak për shqetësim.

Nina Smushko, po ashtu, ishte diplomuar në VUMO, kishte marrë gradën ushtarake të kapitenit dhe gjithashtu kishte punuar më parë si përkthyese për vizitat e oficerëve ushtarakë në VUMO nga Indonezia, Malajzia dhe Venezuela.

Vende në të cilat Rusia eksporton armë.

Ndërkohë, Filippenok, mund të ishte dërguar në Bruksel për të spiunuar popullin e Rusisë atje. Rusia ka rreth 200 diplomatë dhe zyrtarë konsullorë në misione të ndryshme në Bruksel dhe në qytetin e dytë më të madh të Belgjikës, Antwerp.

Filippenok ishte zyrtarisht një sekretar i parë në ambasadën ruse të NATO-s. Por, në realitet, ai kishte të ngjarë të ishte dërguar në Belgjikë për të kërkuar tradhtarë në radhët e vetë Rusisë.

Kërkuesit e spiunëve?

Filippenok, i cili dikur jetonte në Shën Petersburg të Rusisë, ishte, sipas të dhënave telefonike ruse, të ekzaminuara nga Dossier Center, një anëtar i njësisë 55297 të shërbimit të brendshëm të spiunazhit të Rusisë, FSB.

Ai ishte një emër i njohur në flluskën e Brukselit .

Në shtator të 2018-ës, për shembull, ai mori pjesë në një konferencë mbi misionet paqendërtuese të BE-së të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane.

Por nëse ai ishte në kërkim të tradhtarëve rusë, atëherë disa nga shokët e tij spiunë duket se po kërkonin persona të tjerë.

Epishkin, të cilin NATO-ja e dëboi gjithashtu, ishte i interesuar për atë që Perëndimi po bënte.

Ai u diplomua si toger rezervë –dhe ndoqi studimet për softuer të sistemit, sisteme komunikimi kompjuterik, matematikë të aplikuar, inteligjencë artificiale dhe përpunim të të dhënave të mëdha.

Në një moment, Epishkin iu bashkua shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, SVR.

Chesnokov, një tjetër nga tetë spiunët rusë, kishte një sfond të ngjashëm.

Para mbërritjes së tij në Bruksel, ai punoi për Antaris-TP, një firmë ruse e lidhur me shtetin, e cila kryente kërkime shkencore.

VUMO dhe MAI, ku studionin Smushkin dhe Epishkin, janë qendra të njohura rekrutimi për inteligjencën ruse.

Por, po ashtu është edhe Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO), ku kishin studiuar Telegin dhe Demekhin, të cilët NATO-ja po ashtu i largoi.

Një tjetër…

Telegin më pas shkoi të punonte për departamentin financiar të ministrisë së Jashtme ruse në misione jashtë shtetit. Ai dhe Demekin kishin apartamente në komplekset e ndërtuara nga qeveria në autostradën prestigjioze Rublevskoye të Moskës dhe Michurinsky Prospect.

Disa nga fqinjët e tyre ishin gjithashtu oficerë të inteligjencës ose oficerë ushtarakë, zyrtarë qeveritarë dhe punonjës të bankave shtetërore ruse, të cilët u dërguan në ambasada të huaja ose pose profesionale, zbuloi Qendra Dossier.

Nga ana tjetër, Kovalev, për shembull, të cilin NATO-ja e dëboi gjithashtu punonte për sindikatat e punëtorëve të transportit rrugor përpara se të shkonte në depon e makinave të ministrisë së Jashtme ruse.

Dhe Obukhova, e cila kishte qenë një “këshilltare” në ambasadën ruse të NATO-s përpara dëbimit të saj, lindi në një fshat të klasës punëtore pranë Noginskut, në Rusinë qendrore.

Ajo filloi të postonte katalogë reklamash për një firmë qipriote-gjermane të quajtur Bler në shtëpi në vitin 2002 dhe më pas iu bashkua ministrisë së Jashtme ruse.

Dëbimet e NATO-s në vitin 2021 ishin raundi i katërt.

Procesi filloi në vitin 2009, kur NATO-ja dëboi Vasily Chizhov, djalin e ambasadorit të atëhershëm dhe aktual të Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, si dhe një tjetër diplomat rus, Viktor Kochukov, për spiunazh.

Më pas në vitin 2015, me një numër të pazbuluar dëbimesh – që vlerësohet të jetë 30 ose më shumë – si reagim ndaj pushtimit të parë të Ukrainës nga Rusia.

Dhe NATO-ja dëboi shtatë rusë të tjerë në vitin 2018, pasi Rusia u përpoq të vriste një nga ish-spiunët e saj, Sergei Skripal, duke përdorur një armë kimike në Mbretërinë e Bashkuar.

Por me gjithë këtë, Rusia ende thuhet se ka mjaft ‘spiunë’ në Belgjikë.

Të paktën gjysma (rreth 100) e diplomatëve të akredituar të Rusisë ishin oficerë të inteligjencës, ndërsa rreth 100 spiunë të tjerë rusë punonin “nën mbulesë jodiplomatike” në biznese, grupe kërkimore dhe OJQ-të në Belgjikë.

Marrë nga “EU observer” përshtatur për Albanian Post

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit