Kryeministri Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në të cilin po diskutohet propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka pasur replika dhe kundër-replika me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Kurti tha se nuk mund të ndërhyjë në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Ernegji pasi tha se kjo është sikur t’i kërkohet që të bëhet diktator.
Ai paraprakisht u kritikua nga Abdixhiku dhe Tahiri. I pari tha se Qeveria mund ta heq TVSH-në për energjinë elektrike, ndërsa Tahiri tha se heqjen e bllok-tarifave në vitin 2017 e ka bërë drejtori aktual i bordit të ZRRE-së.
“Stafi profesional i ZRRE-së nuk ka rekomanduar heqjen e tarifave, përkundrazi, bordi dhe komisioni parlamentar.
Kryesuesi i bordit sot që është nuk ka qenë në bord atëherë”, tha Kurti.
“Në kundërshtim me komisionin parlamentar dhe bordit ka qenë rekomandimi i stafit profesional.”
“Unë e kuptoj që është një barrë e madhe edhe për shtetin, edhe për qytetarët.
Bashkarisht duhet ta diskutojmë se si të dalim nga kriza, mirëpo unë nuk mund ta marrë këtë vendim përderisa ka ZRRE.
Të kërkosh prej meje që ta marrë këtë vendim, pikërisht do të thotë të kërkosh prej meje të bëhem diktator”, ka theksuar ai.