2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mustafa ka vetëm një fjali për Presidenten që i akuzoi ish – kryeministrat për marrëveshje të dëmshme me Serbinë

Rekomandime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka fajësuar ish-kryeministrat e Kosovës, për siç tha ajo, nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave me shumicë serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Isa Mustafa, si ish-kryeministër, i është përgjigjur vetëm me një fjali Presidentes Osmani.

“Kjo është një megafon i tmerrshëm destruktiv”, është deklaruar Mustafa kur është pyetur nga Express lidhur me deklaratat e Osmanit.

- Advertisement -

Presidentja Vjosa Osmani sot para takimit që do të ketë me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimir, Gabirel Escobar dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçal, Mirosllav Lajçak, tha se ish-kryeministra të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive.

“Ajo që është problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra duhet ta themi një realitet që është, sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë. Dhe rrjedhimisht këto tendencat që pastaj të gjuhet përgjegjësia te komuniteti ndërkombëtar dhe të fshihen para komunitetit ndërkombëtar nuk i bëjnë nder Kosovës. Si përfaqësues të Republikës së Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë sakrificë, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional”, ka deklaruar Osmani.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në një përgjigje me shkrim për Express, Mustafa pati deklaruar se kur ishte Kryeministër, ka marrë zotim me shkrim nga Komisioni Evropian që Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë.

- Advertisement -

“Si Kryeministër në vitin 2015 e kam marrë zotimin me shkrim nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, znj. Mogerhini se Asociacioni sipas pikëpamjeve të BE-së nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë. Derisa është në fuqi Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, Kosova e ka për obligim ta themelojë (por pa kompetenca ekzekutive). Këtë pra e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Mustafa.

Ai kishte deklaruar se një Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin ka folur i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të ishte i papranueshëm për Kosovën.

- Advertisement -

“Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se Asociacioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, e arritur në vitin 2013 dhe e ratifikuar me Ligj nga Kuvendi. Gjykata ka konstatuar se Asociacioni është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës. Gjithnjë e kam parasysh se Gjykata i referohet një Asociacioni që nuk ka fuqi ekzekutive dhe që nuk është pushtet i tretë. Jo për Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin është shprehur z. Lajçak. Për një Asociacion të tillë nuk është diskutuar asnjëherë dhe ai do të ishte i papranueshëm për Kosovën”, pati deklaruar Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se nëse Serbia dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që Asociacioni të marrë kompetenca të komunave përmes ndryshimeve kushtetuese, Kosova duhet të tërhiqet.

Ai ka deklaruar se në asnjë rast, Kosova nuk ka marrë obligim për ndryshime kushtetuese, për të i krijuar hapësirë Asociacionit të cilin e parapëlqen Serbia.

“Në qoftë se Serbia dhe BE tani kërkojnë që Asociacioni të jetë pushtet i tretë (të marrë kompetenca të komunave), përmes ndryshimeve kushtetuese, do të kishte arsye të plotë që Kosova të tërhiqet nga ky obligim përmes shfuqizimit të Ligjit, për arsye se në asnjë rast Kosova nuk ka marrë obligim për ta ndryshuar Kushtetutën e për t’i krijuar hapësirë një Asociacioni çfarë tani e parapëlqen Serbia. Duhet përkujtuar se në vitin 2015 Serbia ishte pajtuar që Asociacioni të konsiderohet i themeluar kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës shprehet se Statuti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, pati deklaruar Mustafa.

Ndryshe, më 25 gusht të vitit 2015, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa ka nënshkruar katër marrëveshje me Serbinë, në mesin e të cilave ishte edhe Asociacioni komunave me shumicë serbe.

Lajçak e Escobar sot takohen me Osmanin e Kurtin

I dërguari i iposaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen sot me presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Vizita pesëditore e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia qysh në korrik të vitit 2021 nuk kanë zhvilluar asnjë raund bisedimesh të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Lajçak në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre.

Lajçak ka treguar edhe arsyen pse ai do të marrë si “përforcim” Gabriel Escobarin në këtë takim, si dhe në një vizitë të njëjtë në Beograd. Ai ka thënë se kanë lidhje të ngushta me administratën Biden dhe se me Escobarin janë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë kohës.

“Ne punojmë shumë ngushtë me administratën e Joe Biden-it. Jemi në kontakte të rregullta dhe të afërta me Gabriel Escobar-in. Kjo do të jetë mundësia e parë për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd bashkë. Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale.”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Edhe Escobar në një intervistë për Reporterin ka thënë se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, tha Escobar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit