Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili sapo u lirua nga paraburgimi pasi u arrestua pardje, i ftuar në emisionin Pressing të T7, ka thënë se zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka takuar një prokuror, nga i cili ka kërkuar të akuzohet një person për Rastin Dehari.
Si rezultat i këtij takimi, Molliqaj tha se Prokuroria ka dërguar qarkore që urdhëron cdo zyrtar të njoftojë nëse takohet me zyrtarë qëveritarë.
“Kjo qeveri ka thënë kemi me ju bë xhipa dhe truproje prokurorëve, ky është premtimi bazë. Çka po u thonë tash? Bëhuni me mua ose ua bëj vetingun.
Për herë të parë kemi një konflikt në mes prokurorisë dhe gjykatave me qeverinë. Prokuroria ka çuar qarkore që kushdo që takohet nga prokuroria me zyrtarët qeveritarë, me u njoftu”, është shprehur Molliqaj.
“E dini pse ka ardhë kjo? Sepse zv. ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka takuar një prokuror që i ka kërkuar me akuzu dikënd për Rastin Dehari.
E mandej është dërguar qajo qarkore ku duhet njoftuar Prokuroria nëse prokurorët takohen me zyrtarët qeveritar”, ka thënë Molliqaj.
Tutje, Molliqaj tha se Qeveria Kurti në vend se t’u bëjë truproja prokurorëve sic pati premtuar Kurti, sot po i shantazhon duke ua përmendur vettingun.
“Në vend së të bëhen truprojat, qeveria po ua tregon shantazhin. Në vend se qytetarëve me ua liru rrymën sic ka thënë, rryma po u paguhet oligarëve”, ka shtuar Molliqaj.